Këtë pasdite, qeveria greke ka dhënë me koncesion kuadratet detare dhe tokësore në zonën e veriut deri në Peloponez.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i energjetikës Jorgos Stathakis dhe kompanive fituese të koncesioneve, pavarësisht se në hartën detare ku do të kryhen kërkimet fizike bën pjesë edhe kufiri i negociueshëm mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Fillimisht ministria greke publikoi vetëm marrëveshjen dhe jo hartën detare e cila u publikua më pas normalisht. Mes zonave të dhëna me koncesion është “Joni 2″, që është kuadrati që shtrihet në veri të ishullit të Korfuzit, një pjesë e të cilit mbivendoset në zonën e diskutueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Kjo zonë iu dha konsorsiumit “Total France”, “Elpe” dhe italianëve të “Edison”, ku shpimi i parë është parashikuar të kryhet brenda vitit 2018.
Në këtë zonë, ministri grek i Energjetikës si edhe përfaqësuesi i kompanisë “Elpe”besojnë se në këtë zonë ka rezerva të mëdha të gazit dhe naftës.
Në fakt, kuadrati “Joni 2”, ndodhet brenda zonës ekskluzive ekonomike të Shqipërisë. Megjithatë sipas një marrëveshje të realizuar në kohën kur ministër i Jashtëm ishte Lulzim Basha, një pjesë e madhe e tij, i kalon zonës ekskluzive ekonomike të Greqisë. Por pavarësisht se kjo marrëveshje u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare, parlamentet respektive nuk e kanë marrë parasysh, madje as sot për kryerjen e kërkimeve për naftë.
Faktikisht, që kërkimet në këtë zone të jenë të ligjshme, Greqia duhet të kenë të paktën dakordësinë e Tiranës, ose një tjetër marrëveshje për demilitimin e ujërave mes dy vendeve. (D.D/Shuplaka)