Gjykata Ndërkombëtare Penale po hap dy hetime për krime lufte të lidhura me pushtimin rus të Ukrainës që do të përfshijnë disa urdhër-arreste.
Këto do të jenë akuzat e para ndërkombëtare të ngritura në lidhje me luftën, e cila shënoi një vjetorin e saj në fund të shkurtit, dhe ato vijnë pasi ekipet hetimore punuan për muaj të tërë, thanë për New York Times disa zyrtarë aktualë.
Një rast do të përqendrohet në një pretendim se Rusia rrëmbeu fëmijë dhe adoleshentë dhe i dërgoi në kampe riedukimi, dhe tjetri do të pretendojë se Kremlini synoi qëllimisht infrastrukturën civile gjatë sulmeve të tij.
Kryeprokurori Karim Khan duhet t’ua paraqesë informacionin e tij disa gjyqtarëve të procedurës paraprake, të cilët më pas do të vendosin nëse standardet ligjore janë përmbushur për të dërguar urdhërarrest ose nëse hetuesit duhet të mbledhin më shumë prova.
Është e paqartë se kë do të akuzojë gjykata në mënyrë specifike në secilin rast, por diplomatë dhe ekspertë të jashtëm thonë se presidenti rus Vladimir Putin mund të jetë një nga objektivat e urdhër-arrestit. Imuniteti nuk u njihet nga gjykata penale krerëve të shteteve në rastet që përfshijnë krime lufte, krime kundër njerëzimit ose gjenocid, sipas New York Times.
“Ne nuk diskutojmë publikisht specifikat në lidhje me hetimet në vazhdim,” tha zyra e prokurorisë kur iu kërkua të konfirmonte kërkesat për urdhërarrest.
Hetuesit kanë mbledhur prova të forta kundër Rusisë që nga fillimi i luftës. Në vitin 2022, forcat ukrainase morën përsëri qytetin e Bucha dhe zbuluan trupa civilësh të lidhur dhe të pushkatuar, dhe forcat ruse bombarduan gjithashtu një stacion treni plot me familje të arratisura.
Diplomatët dhe liderët botërorë e kanë dënuar Rusinë për krime lufte, por anëtarët e qeverive në detyrë dhe ushtrive rrallë përballen me ndjekje penale ndërkombëtare.
Kremlini ka mohuar se ka kryer krime lufte dhe nuk ka gjasa të ndodhë një gjyq pasi gjykata nuk funksionon në mungesë, Rusia nuk ka gjasa të dorëzojë ndonjë zyrtar të cilit i është dhënë urdhër arresti.