Lëvizja e dosjes së përplasjes së makinës së Policisë në Elbasan, bënë që të humbasin DVD me pamjet e përplasjes. Për 4 seanca Gjykata për Krime të Rënda kërkoi DVD, të cilat nuk gjendeshin në fshikullin e gjykimit.
Këtë të enjte, Gjykata tha se kishte arritur të gjente 11 DVD dhe një disk që nuk ishin në dosje, duke i rekuperuar në Institutin e Policisë Shkencore. Eksperti që ka kryer akt-ekspertimin për këto prova, nuk kishte bërë një kopje të dytë, megjithëatë pamjet janë rekuperuar, tha Gjykata dhe do të shihen në seancën e radhës.
Gjykata kishte dërguar shkresë edhe në Prokurorinë e Elbasanit, e cila kishte bërë të ditur se këto DVD nuk ndodheshin atje, por janë nisur në Prokurorinë për Krime të Rënda.
Prokuror Behar Dibra tha se nuk mund të shpjegonte këtë situatë, duke shtuar se dosja ka levizur tre herë, në Elbasan, Prokurorinë e Përgjithshme e më pas te Krimet.