Ditën e sotme autoritet hollandeze i kanë dërguar një letër-porosi Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri, në lidhje me Frederik Durdën, i akuzuar për përfshirjen në trafikun e kokainës nga Kolumbia në Holandë.
Policia holandeze i ka sekuestruar grupit 12 mln euro. Durda rezulton i dënuar me 16 vjet burg për organizimin dhe pjesëmarrjen në trafikun e kokainës me Kolumbinë në vitin 2001.
Ai qëndron prapa hekurave, pasi policia e kapi atë 24 orë pas arratisjes spektakolare më 6 tetor 2005. Durda i cili gjithashtu ka shtetësi kolumbiane, u arrestua pas një hetimi ndërkombëtar në shtatë shtete.
Durda ishte pjesë e procesit të ashtuquajtur “Kokaina”, ndërsa rezulton i shpallur në kërkim edhe nga Holanda.
Në shkurt të këtij viti, OFL i dërgoi një letër Durdës për të dhënë sqarime mbi pasuritë e tij.
Në dosjet hetimore për rastin, trafikantët kishin rënë dakord për të trafikuar një sasi prej 5-6 ton kokainë, e cila do të transportohej me një anije të quajtur “Privilegje”. Trafikantët kolumbianë kishin kërkuar si garanci mbajtjen peng të dy personave në Kolumbi për të kryer ngarkesën e drogës ndaj grupit shqiptarë.
DOSJA “KOKAINA”
Frederik Durda dhe Arben Bërballa ishin dy emrat më të lakuar gjatë vitit 2001, teksa gjykoheshin në Gjykatën e Tiranës, në kushtet kur Gjykata e Krimeve të Rënda ende nuk ekzistonte. Në gusht të vitit 2000, në Venezuelë u kap një anije me 6 ton kokainë, destinacioni i së cilës ishte Europa. Në Holandë u zbuluan 2 ton kokainë. Në krye të këtij rrjeti trafikantësh ndërkombëtarë, u akuzua se qëndronte Frederik Durda. Në atë kohë, ai ishte 42 vjeç.
Durda ishte arratisur nga Shqipëria drejt SHBA-së, që në kohën e komunizmit, në vitin 1976. Në Amerikë ai u dënua për çështje narkotikësh dhe pas rënies së komunizmit u kthye në Shqipëri. Prokuroria kishte të dhëna vite më parë se Frederik Durda, duke shfrytëzuar lidhjet e tij me Amerikën, kishte nisur punën për riaktivizimin e rrjetit të trafikut të kokainës. Madje gjatë viteve ’96-’97, ai pati forcuar lidhjet me eksponentë të kësaj fushe në Tiranë, duke nisur fillimisht me ndërtimin e një firme importi dhe eksporti të lëndëve të ndërtimit.
“Nga ana e të pandehurve, Durda dhe Bërballa me elementët dhe eksponentët kolumbianë të trafikut të drogës, është biseduar për mënyrat dhe rrugët sesi do të realizohej transportimi i lëndëve narkotike. Si rruga më e mirë dhe më e sigurt për ta është parë ajo e transportit detar.
Më 27.09.1999, të pandehurit Frederik Durda dhe Arben Bërballa janë paraqitur në Maltë, duke autorizuar me prokurë avokatin e tyre me emrat fiktivë Nikolla Papa dhe Arben Balla, ku kanë themeluar shoqërinë ‘Privillege Maritime’ L.T.D., në dt. 07.10.1999, pra as edhe një muaj më vonë nga momenti i krijimit të shoqërisë në Maltë, të pandehurit Frederik Durda dhe Arben Bërballa kanë realizuar blerjen e anijes ‘Privilegje’, anije e cila më vonë do të destinohej për transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Shtetet e Amerikës Latine në drejtim të Europës.
Të pandehurit nuk sollën asnjë provë bindëse sesi ishte blerë anija me vlerë më shumë se 1 milion dollarë, ndaj edhe Prokuroria theksoi se ‘kjo të forconte idenë se karteli kolumbian i drogës mund ta kishte financuar’”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Në përfundim të procesit të gjatë të çështjes që u quajt dosja “Kokaina”, Frederik Durda u dënua me 16 vjet burg, ndërsa Arben Bërballa me 15 vjet burg.