Kjo foto e publikuar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar të ish ministrit të mjedisit Lefter Koka, në ajrosje në ambjetet e paraburgimit 313, vuri në lëvizje drejtësinë.
Pas publikimit të fotos, në atë kohë prokuroria e Tiranës nisi hetimet për rrjedhje dhe për identifikimin e personit që shkrepi telefonin. Pas hetimeve prokuroria zbuloi edhe personin që shkrepi foton.
Gjatë hetimeve u zbulua se ‘fotografi’, ishte një punonjës i Prokurorisë së Tiranës, që punon si postier në institucionin e akuzës së kryeqytetit.
Ditën kur është bërë fotoja ai kishte shkuar në ambientet e burgut për të dërguar aty disa shkresa nga prokuroria dhe në momentin që ka parë Kokën në ajrosje e ka fotografuar.
Ai u zbulua nga kamerat e sigurisë së burgut. Vetë postieri e ka pranuar se ka qenë ai personi që ka fotografuar ish ministrin në ajrosje por jo ta ketë shpërndarë në media.
Pas zbulimit prokuroria ngriti ndaj tij akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘cënimit të privatësisë’. Sipas prokurorisë ky shtetas ka cënuar sigurinë e burgut, si dhe ka dëmtuar imazhin e figurën e ish ministrit
Por, gjykata pas shqyrtimit të fakteve për këtë çështje vendosi pushimin e hetimeve me argumentin se postieri ka për detyrë të dorëzojë vetëm dokumentat në institucion. Ndërsa ruajtja e sigurisë së personave që qëndrojnë të izoluar në ambientet e burgjeve është detyrë e oficerëve dhe zyrtarëvë që ushtrojnë detyrën në ambientet ku mbahej i izoluar ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka. Ndërsa përsa i perket prishjes së imazhit e figurës së Kokës, në vendimin e tij gjyqtari Sokol Pasha, argumenton se kjo është një çështje penale, e për këtë z. Koka, nëse ka pretendime duhet ti drejtohet gjykatës civile.