Një aksident tragjik ndodhi dje para mesnatës në Fier -Vlorë, ku humbi jetën 19-vjeçarja Xhesika Mjekra, dhe u plagos 21-vjeçari Sabri Xherimeja. Faxweb.al ka siguruar dhe foton e viktimës, ndërkohë që familjarët mes dhimbjes njoftojnë se përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet sot në mesditë në Tiranë.
Dyshimet janë se aksidenti ndodhi për shkak të errësirës në rrugë, ndërsa në drejtimin e mjetit ishte vetë 19-vjeçarja, e cila nuk i shpëtoi dot plagëve të marra. I riu që ishte pasagjer në mjet u dërgua me plagë të shumta për në spitalin e Fierit, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në zonën ku ndodhi aksidenti mungon ndriçimi dhe sinjalistika, pavarësisht se është një aks rrugor i ndërtuar së fundi, ndërkohë që policisë mbrëmjen e djeshme iu deshën disa minuta për të gjetur vendin se ku makina e dy të rinjve kishte dalë nga rruga.
Njoftimi i Policisë:
Sot rreth orës 22:35, në bypass_in e Fierit, në fshatin Pojan ka dalë nga rruga automjeti tip “Benz” me drejtuese shtetasen Xh. M., 19 vjeçe, banuese në Tiranë.
Për pasojë është dëmtuar pasagjari në automjet, shtetasi S. Xh., 21 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital shtetasja Xh. M.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
(E.K/Faxweb.al)