Përfundimi i procesit të numërimit të votave në Gjirokastrës dhe marrja e mandatit të 3-të në këtë qark, shënoi një moment gëzimi për socialistët e pranishëm në sallë.
Momentet nga festa e të majtëve, i ka bërë publike në facebook ministri Blendi Çuçi, i cili ka postuar një video teksa shihet së bashku me ekipin e tij duke u përqafuar dhe duartrokitur pas fitores.
Postimi i plotë: Pikërisht në momentin kur duhej më shumë se asnjëherë tjetër të vazhdonim përpara dhe të besonim te Shqipëria e së ardhmes, ne ditëm të ishim bashkë. Kemi fituar 3 mandate në qarkun Gjirokastër dhe s’ka dyshim që është një fitore në mbarë Shqipërinë. FALEMINDERIT çdo votuesi, çdo banori të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Memaliajt, Këlcyrës, Libohovës e Dropullit, që besoi te unë, që besoi te Partia Socialiste dhe ekipi jonë.
Mirënjohje edhe për ata votues që nuk besuan tek ne. Unë do jem deputet edhe për ta, ne do të punojmë edhe për ju. Kjo është një kontratë e re besimi për të vijuar me punët që kemi nisur dhe për të bërë shumë më shumë sesa bëmë këto dy mandate.Faleminderit skuadrës sonë të kandidatëve, kryebashkiakëve, kryetarëve të partisë, kryetarëve të organizatave socialiste dhe çdo anëtari e aktivisti të PS-së, që punoi për të arritur këtë sukses, i cili nuk është thjesht suksesi i një force politike që ka fituar zgjedhjet e radhës.
Ky është suksesi jonë i përbashkët, është një fitore për Shqipërinë që vendosi të mos kthehet prapa. Çdo ditë të këtij mandati të tretë do ta shfrytëzojmë për të bërë punë më të mira, investime më shumë, për të ringritur ekonominë pas goditjes që i dha tërmeti e pandemia dhe për të qenë në lartësinë e nevojave të qytetarëve. S’ka kohë për pushim!