Gazetari Fatjon Gjinaj ka folur në studion e Fax News për rrugëtimin drejt Malësisë së Madhe ku mësoi detaje të reja për zhdukjen e tre të rinjve, Danjel Pepaj, Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj. Gjinaj zbulon se vëllai i Vilson Çutajt, Olsi Çutaj që bëri denoncimin në polici ishte i pranishëm në sherrin që nga informacione jo zyrtare thuhet se nisi për parcela droge. Por pas një ore e gjysmë që ishte larguar, nuk arriti të kontaktonte vëllain dhe iu drejtua policisë.
Ndërsa për Klement Pepajn, i cili është ekstraduar nga Zvicra, zbuloi se kishte kryer një dënim me 8 muaj burg për mosbindje ndaj policisë.
“Me 3 Tetor pasdite ka nisur një konflikt në fshatin Bajzë dhe babai i Danjel Pepajt, i cili dyshohet si autor i ekzekutimit të dy të tjerëve, ka rrëfyer se konflikti për parcelat e drogës. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vrith dhe sipas Rrokut, djali i tij është dhunuar barbarisht dhe mund të ketë kryer krim të rëndë në kushtet e hakmarrjes.
Danjeli është parë nga banorë me armë tip kallashnikov atë ditë. Konflikti është zhvilluar mes Klementit, Danjelit dhe Vilsonit ndërsa në konflikt ka qenë i pranishëm dhe Olsi. Pasi janë zhvendosur në Vrith ku ka vijuar debati dhe konflikti fizik. Të tre të zhdukurit kanë marrë drejtim të paditur ndërsa Olsi është kthyer në banesë me mjetin e tij. Është Olsi që ka bërë denoncimin për zhdukjen e vëllait. Pasi është ndarë me tre personat, është kthyer në banesa dhe për një orë e gjysmë nuk i është përgjigjur, ndërkohë që kemi informacione që ka qenë i pranishëm në konfliktin mes tyre.
Djali i tij në Zvicër është arrestuar për 8 muaj për mosbindje ndaj policisë, cka ka ndikuar në ekstradimin drejt Shqipërisë”, u shpreh gazetari Gjinaj.
Në Malësinë e Madhe, zhvilloi intervista me prindërit e dy djemve të zhdukur, Nush Pepaj dhe Rrok Pepaj. Nush Pepaj nuk kërkonte asgjë veçse të shfaqej Danjeli, të rrëfente ku ishin trupat që dyshon të jenë të pajetë dhe të paraqitet para drejtësisë.
Ndërsa Rrok Pepaj, kur u fikën kamerat dhe intervista përfundoi, i ofroi gazetarit Fatjon Gjinaj që të shihte nga afër parcelat e drogës. U nisën drejt vendit, por ishte një automjet tip fouristradë që i ndiqte gjatë gjithë rrugës dhe Rrok Pepaj u tërhoq duke i thënë se kishte një rrezik të madh për të shkuar atje. Më pas u ndaluan nga fouristrada që kishte brenda drejtues policie, të cilët shoqëruan Rrok Pepajn.
“Pas intervistës me Rrok Pepaj, më thotë, do të dish ku janë parcelat. Sigurisht që po i them. Ishte një rrugë e shkurtër që aty. Nisemi dhe bashkë me Rrokën ishte dhe një fqinj i tij. Nisemi bashkë me grupin e xhirimit të Fax News, terreni ishte mjaft malor dhe i vështirë. Më shkoi ndërmend të telefonoj komisariatin e policisë, por mu duk e padobishme. Ishte një fouristradë e bardhë që na ndiqte vazhdimisht. Pavarësisht se ne nuk na dhanë garanci që do të futeshim në zonë, ai mjet që na ka ndjekur, me emra që unë i kam por nuk dua ti përmend, janë drejtues të policisë Malësi e Madhe dhe Shkodër. Na ka ndjekur në cdo lëvizje që kemi bërë, në çdo derë që kemi trokitur.
Të gjithë banorët nën zë qeshin dhe në drejtimin e malit thonë që atje ka drogë. Ne nuk arritëm dot ta provonim dje sepse pasi u nisëm, Rroku tha diçka që ngjalli panik sepse u shpreh që mund të kemi përballë një rrezik dhe në një moment ndaluam dhe fqinji i Rrokut u kthye në fshat dhe jam habitur se 35 persona, kryesisht të rinj, në harkun kohor të 10 minutave kanë qenë pranë nesh për tu drejtuar drejt zonave ku na kishte orientuar Rrok Pepaj. Kjo lëvizje ka zgjatur vetëm disa hapa pasi fouristrada që na ndiqte na bllokoi rrugën dhe na tha që do të ndërhynte FNSH”, u shpreh Gjinaj.
Fakti që hezitoi të njoftonte sërish policinë ishte sepse kishte marrë informacione nga burime jo zyrtare për vendin ku ndodheshin parcelat e drogës dhe kur kërkoi garanci fizike për të bërë një inspektim, oficerët iu përgjigjën duke i thënë: “Ju keni punën tuaj, ne tonën”.
“Me të mbërritur në fshat, kam kontaktuar në telefon me komisariatin e policisë së Malësisë së Madhe dhe i kam vënë në dijeni që ndodhem në këtë fshat dhe i kam treguar tre emra, zona të përcaktuara ku më kanë orientuar burimet e mia se mund të kishte parcela droge dhe kam vënë në dijeni se do të kryej insepktim në këtë zonë dhe kam kërkuar garanci fizike.
Nëse do më ofronin garanci fizike do ishte okej, por në të kundërt do ta ndërmarr këtë objektiv dhe do të shkoj atje,por ju të jeni në dijeni. Përgjigja e policisë ishte paksa e habitshme sepse më thanë, ju keni punën tuaj, ne kemi punën tonë”, u shpreh gazetari i Fax News, Fatjon Gjinaj.(A.M/Faxweb.al)