Radhë të mëdha familjarësh janë vënë re sot pranë spitalit Infektiv në Tiranë, me qytetarë që janë në ankth për fatin e personave të shtruar në spitale.
Lidhur me këtë situatë, ku ka amulli informacioni, dhe ku familjarët lihen pa asnjë të dhënë mbi të afërmit e tyre, ka reaguar pak më parë dhe presidenti Meta, i cili shprehet se kjo është e papranueshme.
“Familjarët e qytetarëve të prekur nga COVID-19 meritojnë të trajtohen denjësisht dhe të informohen me transparencë të plotë për shëndetin e të dashurve të tyre, të cilëve ju uroj shërim sa më të shpejtë.
Pamjet shqetësuese të publikuara sot në media për grumbullime të shumta në ambientet e jashtme të Spitalit Infektiv në Tiranë kërkojnë reflektim të menjëhershëm”, shkruan Meta në postimin e tij.
Në fotot e mëposhtme shihet dhe mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, i cili shihet duke qetësuar familjarët, dhe duke u përpjekur që ti bindë ata që nuk është e shëndetshme që të qendrojë në radhë pranë spitalit.
Një rrëfim tronditës ka qenë ai i një qytetari pranë spitalit të Sanatoriumit në Tiranë, i cili sapo kishte mësuar që kishte humbur të vëllanë e tij, i cili dyshohet se ishte prekur nga Covid 19.
Teksa fliste për gazetarin Erjon Skendaj, ai u shpreh se të vëllanë e kishte çuar në gjendje të mirë në spital, duke ecur me këmbët e veta dhe pa sëmundje të tjera shoqëruese, dhe po e nxirrte prej aty të pajetë.
I vëllai i tij, i revoltuar dhe me dhembje, tha se viktimës nuk i ishte bërë ende tamponi, dhe duket se vdekja e tij nuk do të klasifikohet si vdekje Covid.
“E solla vëllanë me këmbët e tij shëndoshë e mirë, e tani më thanë se ka vdekur, ky është shteti?! Si ti them unë tre fëmijëve të vëllait, bashkëshortes së tij, dhe nënës sime e cila është 82-vjeç”, u shpreh u vëllai i personit që ka humbur jetën.
(E.K/Faxweb.al)