Drejtuesi politik i socialistëve për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj ka dalë në një deklaratë zyrtare nga selia rozë, ku është shprehur entuziast pas fitores së kësaj force politike në njësinë numër 10 në Tiranë, e cila aplikoi projektin pilot të votimit në mënyrë elektronike.
Veliaj falenderoi posaçërisht Fatmir Xhafajn, i cili në këtë njësi mori pothuajse gjysmën e votave të socialistëve, teksa kishte dhe një mesazh për numëruesit, që procesi të vijojë me ritme të shpejta.
Duke marrë shkas nga optimizmi i shprehur dje nga opozita, Veliaj tha se ai ndan të njëjtin mendim, se procesi ishte i mrekullueshëm, me shpresën se rezultati do të pranohet prej të gjithëve.
Erion Veliaj:
Mirëmëngjes, mirëmëngjes, dua të falenderoj shumë të gjithë ata që punuan për fitoren e parë zyrtare atë të njësisë numër 10 në Tiranë. Me skuadrën tonë fantastike të djemve dhe vajzave të Tiranës, një falenderim i veçantë Fatmir Xhafës dhe të gjithë frymëzimit që ai i dha kësaj skuadre të mrekullueshme.
Dua që të ndaj disa konkluzione, së pari kemi pasur një natë të gjatë, dua të falenderoj kolegët e medias, për angazhimin e jashtëzakonshme, ne po përgatitemi për fitore në 42 njësitë e Tiranës, doja të ftoja të gjithë ata që janë përfshirë në numërimin e votave që ta çojnë këtë proces deri në fund. Unë ndaj mendimin me kolegët e opozitës që dje kishim një proces fantastik.
E ndaj me ta gjithashtu mendimin se rezultati duhet të pranohet nga të gjitha palët. Dua të ndaj angazhimin e kryetarit të PS, Edi Rama se do të jemi të angazhuar për të vazhduar pa pushim procesin e numërimit.
Për të gjithë ata që na votun në njësinë 10 dua ti falenderoj nga zemra sepse ka qenë gjithmonë e balancuar.
Për ata që nuk na votuan ju them që do jemi aty me përulësi do ju shërbejmë me respekt. Do të doja që duke filluar nga sot duke qenë se jemi skuadra që e mbyll procesin me një sukses të jashtzakonshëm.
Ka ardhur koha t’ju shtrijmë dorën kundërshtarëve tanë, t’i përqafojmë ata sepse ata janë thjesht shqiptarë që kanë pasur ide të tjera nga ne. Nuk ka rëndësi nëse janë demokratë apo socialist, ne të gjithë jemi 1.
Nga mbyllja e kësaj fushate do të doja të fillonim një tjetër fushatë, një fushatë bashkimi, vllazërimi me shqiptarë të tjerë që thjesht kanë bindje të tjera politike krahasuar me ne.”
(E.K/Faxweb.al)