Kreu i qeverisë Edi Rama, kishte ‘nderin’ pak ditë më parë që të pritej në rezidencën verore të Presidentit turk Erdogan, të cilit nuk mund ti shkonte asesi duarbosh. Kryeministri shqiptar duket se shkonte në këtë takim me dhuratën për Erdogan, që nuk ishte as më pak dhe as më shumë sesa mbyllja e disa shkollave të etiketuara si gyleniste në Shqipëri.
Ishte Agjensia e Lajmeve Turke ajo që njoftoi e para për mbylljen e këtyre shkollave, që nga Ministria e Arsimit janë paraqitur si veprime që janë kërkuar nga vetë institucionet arsimore në fjalë.
“Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së medresesë “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë (e hapur në vitin 2002), medresesë “Ali Korça” në Kavajë (e hapur në vitin 1996) dhe të “Memorial International School of Tirana (MIST)” të lidhura me strukturat e organizatës terroriste FETO në Shqipëri”, ka transmetuar Anadolu Agency (AA).
Pasi njofton se këto vendime do hyjnë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare agjensia njofton se ato janë marrë mes datave 16 dhe 23 shtator, kur ish ministrja Besa Shahini kishte shpallur largimin dhe para se kryeministri të vizitonte Turqinë.
“Qeveria e Shqipërisë ka vendosur edhe mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare “Memorial International School of Tirana (MIST)”, në të gjitha nivelet arsimore (arsim fillor, arsim i mesëm i ulët, arsim i mesëm i lartë), që administrohej nga Shoqëria “Turgut Ozal Education”.
Rrjeti i Gylenit që në gjuhën e regjimit të Ankarasë njihet si organizata terroriste FETO, i kishte në pronësi këto shkolla përmes bashkëpunimit mes Fondacionit “Sema” dhe komunitetit musliman shqiptar.
Shqipëria ka qenë shpesh pre e kritikave ndërkombëtare për shkeljen e praktikave botërore në favor të autokratit turk, siç ishin dhe refuzimet e azilit për dy shtatas turk që u kapën në vendin tonë.
“Shqipëria dyshohet të jetë pjesë e një marveshje sekrete me Turqinë për dorzimin kundër procedurave ndërkombëtare të atyre që Erdogani i ka shpallur si gylenistë”, u tha në rapiortin e zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, që mban datën 5 Maj 2020. Ai ngre shqetësim për atë që mund të cilësohet një praktikë e vazhdueshme e ekstradimeve apo dëbimeve të detyrueshme të shtetasve turq nga vende të ndryshme, drejt Turqisë.
Këto veprime në fakt nuk janë të rastësishme, pasi Edi Rama gjatë gjithë mandatit të tij dy vjeçar nuk e ka fshehur aleancën me Erdogan, të cilin e ka quajtur madje vëlla, dhe ka pranuar që në takimet mes tyre është folur dhe për çështjenb e gylenistëve.
Gjatë një konference që ka pasur në korrikun e vitit 2019 me ministrin e brendshëm të Turqisë, Süleyman Soylu në Tiranë, Rama ka pranuar se kjo ka pasur të bëjë me çështjen e gylenisëve: “patjetër që ka pasur lidhje”.
Nuk dihet se cili do të jetë nënshtrimi i radhës i Shqipërisë përpara Erdogan, në një kohë kur Shqiperia pret që të anëtarësohet në BE, ku kjo e fundit në jo pak raste ka dënuar sjelljen diktatoriale të Erdogan. (E.K/Faxweb.al)