Forca të shumta të RENEA-s kanë zbarkuar mbrëmjen e kaluar në fshatin Nikël të Fushë-Krujës. Burime të sigurta për Fax News bëjnë me dije se fshati ka qenë i rrethuar për disa orë me radhë nga RENEA.
Mësohet se operacioni është zhvilluar në disa banesa me vendim Gjykate dhe objektivi ka qenë kontrolli i disa banesave të personave me rekorde kriminale dhe precedent penal të mëparshëm.
Pjesë e kontrollit kanë qenë banesat e Valter dhe Durim Bamit, Ylli Çangut, dhe Ervin Kodrës. Në nëntor të vitit te kaluar Kodra i shpëtoi një atentati në fshatin Tapizë. Të 7 banesat që janë kontrolluar i përkasin personazheve që kanë precedentë dhe janë hetuar për vepra të rënda penale, përfshirë edhe vrasjen.
Mësohet se Policia dhe RENEA nuk kanë gjetur asgjë të jashtëligjshme gjatë këtyre kontrolleve, dhe u janë marrë vetëm disa aparate celulare.
Nikla është një nga zonat më problematike sa i përket veprimit të bandave kriminale, që kanë të bëjnë me aktivitetin e drogës, strehimit të personave me rekorde kriminale apo vrasjeve dhe atentave mafioze.
Nikla është zonë e krehur edhe herë të tjera nga policia për shkak të personave me probleme me ligjin ndërsa operacioni i mbrëmjes së kaluar është zhvilluar befasisht ç’ka ka zënë në befasi edhe banorët e zonës kur janë përballur me “shtetrrethimin” nga RENEA.
(E.K/Faxweb.al)