Lidhur me vrasjen e Edmond Koçit, policia e Durrësit ka shoqëruar rreth 20 persona, mes tyre edhe shoferin e viktimës, të cilët po merren në pyetje për të zbardhur krimin që tronditi qytetin bregdetar mëngjesin e kësaj të shtune.
Sipas informacioneve ende të pakonfirmuara ekziston edhe dyshimi se shoferi i Koçit ka qenë bashkëpunëtor me autorët e vrasjes, të cilët çuditërisht edhe pse pa maska, duke u bërë lehtësisht të identifikueshëm, kanë lënë një dëshmitar në vendin e ngjarjes.
Ekzekutimi mafioz ndodhi në lagjen nr.16, pranë shtëpisë së prindërve të 40-vjeçarit i njohur me nofkën “Mond Çekiçit”, i cili la pas dy fëmijë të mitur.
Nga kontrolli në makinën tip “Porsche Cayene”, brenda së cilës u vra Koçi, nuk u gjet asgjë e paligjshme, ndërsa viktima nuk ishte i armatosur në momentin kur u qëllua për vdekje.
Në lidhje me këtë ngjarje, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka mbërritur sot në Durrës në një takim me drejtuesit e qarkut dhe grupin hetimor.
(E.H/Faxweb.al)