Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Analiza/ Aritmetika hileqare e qeverisë Rama!

Qeveria ka qenë gjithnjë optimiste në parashikimin e të ardhurave të saj, në më të shumtën e rasteve përtej një optimizmi real. Në fund të vitit të kaluar, buxheti i vitit 2020 u hartua duke marrë për bazë planin e 2019-s, ndonëse fakti për 11-mujorin ishte shumë më poshtë sesa plani dhe tërmeti i 26 nëntorit i kishte zbehur pritshmërinë për rritjen ekonomike gjatë vitit 2020.

Rishikimi i parë i buxhetit 2020 u bë që më 21 mars. Vendi kishte hyrë në karantinë të ashpër, pritshmëritë për rritjen ekonomike ishin tkurrur ndjeshëm dhe pasiguritë ishin të mëdha. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëruan se tkurrja ekonomike do të ishte të paktën 5%, gjithnjë nëse pandemia do të zgjaste për një kohë të shkurtër dhe në 6-mujorin e dytë, do të rikthehej normaliteti. Megjithatë, të ardhurat u parashikuan 6.4% më të larta sesa fakti i një viti më parë, ndërsa shpenzimet 13.5% më shumë se ajo që ishte realizuar faktikisht në 2019. Një buxhet, që është pak të thuash, përtej realitetit.

Edhe në rishikimin e dytë, më 15 prill, kur pasojat në ekonomi sa vinin e bëheshin më të qarta, u mbajt i njëjti parashikim optimist të ardhurash! Financat zbritën pak me këmbë në tokë vetëm në fillim të korrikut, kur nuk kishin nga t’ia mbanin më. Plani i të ardhurave u rishikua në mënyrë drastike krahasuar me planifikimin e fillimvitit, ndërsa shpenzimet u rritën më tej, duke çuar në një deficit të pritshëm rekord prej rreth 1 miliard eurosh, rreth katër herë më të lartë se fakti i një viti më parë dhe borxhin publik në 80% të Prodhimit të Brendshëm bruto, me një rritje prej gati 14 pikë përqindje në krahasim me 2019-n.

Sërish, edhe brenda këtyre shkurtimeve drastike, optimizmi nuk mungon. Të ardhurat parashikohen me një
rënie prej 3% në raport me faktin e 2019-s, kur realisht për 6-mujorin, tkurrja e tyre ishte 14%. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, arkëtimet në buxhet planifikohen po njësoj si me vitet e para pandemisë, ndërkohë që ekonomia është në tkurrje, këstet e parapagimit të tatimfitimit janë shtyrë, konsumi ka rënë, duke ndikuar kështu TVSH-në, që sjell rreth një të tretën e të hyrave në buxhet. Nëse të ardhurat do të binin me rreth 14-15% dhe shpenzimet do të mbaheshin po njësoj, atëherë deficiti buxhetor mund të arrinte në 1.5 miliardë euro, duke krijuar vështirësi të mëdha për financimin e tij.
Debati tjetër lidhet me rendjen drejt “projekteve të mëdha”, një skenar që në fakt po shihet nga shumë shtete, si një mënyrë për t’i dhënë nxitje ekonomive të sëmura. Por problemi është te përzgjedhja e tyre, duke parë në radhë të parë ndikimin, që do të kishin në ekonominë e vendit. Llogari të cilat, deri tani, sërish kanë munguar.

A është qeveria vërtet kaq e dobët në aritmetikë? Kjo në fakt është e vështirë të thuhet, pasi lepuri
fle diku tjetër. Fryrja e të ardhurave lë hapësirë që në kahun tjetër, të planifikohen shpenzime të rritura, një praktikë që ka ndodhur rëndom ndër vite, duke hapur fronte pune të cilat nuk dihet kur mbyllen, për më tepër që 2021 është vit elektoral dhe tendenca për të treguar se po punohet do të jetë e lartë.

Kjo praktikë mundëson që të ruhen formalisht parametrat e buxhetit, kur realisht sistemet e kontrollit mbi menaxhimin e financave publike nuk duket se po funksionojnë, duke akomoduar shkelje ligjore dhe thyerje të disiplinës fiskale, pasi rrezikon krijimin e detyrimeve të mëdha të prapambetura në të ardhmen (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës), duke e vënë buxhetin në vështirësi të mëdha dhe praktikisht duke e “shitur” atë te brezat e ardhshëm.

Në vitin 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi se, në përpjekje për të ruajtur parametrat e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, financat kanë fshehur detyrimet e prapambetura, të cilat realisht arrinin 600 milionë euro, nëse përllogariten dhe detyrimet kontigjente gjyqësore ndërkombëtare, duke shtuar rreziqet për një paaftësi për të paguar detyrimet financiare në të ardhmen. Ky paralajmërim po materializohet tashmë, ku 105 milionë euro është fatura e konfirmuar që duhet paguar për humbjen në arbitrazh ndaj çështjes “Becchetti”.

Vendi nuk e kishte as në atë kohë luksin për të përballuar kosto të tilla dhe fshehje detyrimesh që të kujtojnë skenarin grek, dhe aq më tepër që nuk e ka as tani. Përgjegjshmëria në menaxhimin e financave publike duhet të jetë parësore në përballimin e kësaj situate të vështirë./Monitor

Mendoni se duhet të hapen listat e partive dhe të ndalohen koalicionet parazgjedhore?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *