Ish-deputeti Eduard Ndocaj është shprehur se e njeh shtetasin italianin që ka ngritur padi për mashtrim ndaj tij, ndërsa la të kuptohej se ajo është një sulm politik kundër tij.
Ndocaj ka folur drejtpërdrejtë në emisionin ‘Top Story’ në Top Channel në linjë telefonike dhe ka treguar se shtetasi Italian është munduar që ta padisë dhe dy herë të tjera më parë por padia nuk është pranuar.
“Absolutisht janë të pavërteta. Unë në 15 vite që merrem me biznes kam sjellë mbi 1 mijë biznesmenë italianë dhe nuk ekziston diçka e tillë. Unë jetoj me biznesin tim dhe jo me ryshfete. Pretendimi i tij është një montim. Ishte hera e tretë që shkonte në Policinë e Lezhës dhe këtë radhë ja pranuan denoncimin, sepse nuk është pranuar asnjëherë. Unë nuk kam asnjë konflikt me këtë person. Ky zotëria ka një problem të jashtëzakonshëm. Është i moshuar dhe ka gati një vit që është larguar nga biznesi i tij se ka probleme me shtetin dhe me kujtesën dhe mendt e tij dhe familja e ka larguar nga biznesi dhe po krijon disa dallavere me disa njerëz në qytetin e Lezhës që e kanë marrë si objektiv për një sulm politik”, tha Ndocaj.
Ish-deputeti pranoi se ka ndërmjetësuar takimin e tij me Edi Ramën.
“Nuk ka qenë vetëm ai. Kam mundësuar shumë takime për bizneset”, u shpreh ai.
Ndocaj tha se nuk do të tërhiqet nga politika dhe se do të jetë aktiv me partinë e tij. (B.H/Shuplaka)