Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me dorëheqjen e Valdrin Pjetrit nga Bashkia e Shkodrës, pas denoncimit të PD-së se ai ka fshehur dënimin në Itali.
Kreu i qeverise shprehet i bindur se Pjetri nuk është kriminel, po nuk nguron që të kujtojë faktin se i besuari i tij për Shkodrën ka shërbyer dhe në administratën e PD-së.
Rama shton se asnjë parti nuk e ka të mundur që të kontrollojë të gjithë kandidatët e saj, prandaj duhet që të nisë një verifikim për të gjithë zyrtarët që tashmë janë të zgjedhur në poste publike.
Postimi i plotë i Ramës:
Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!
Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje!
Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë.
Jo vetëm kaq,po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive.
(E.K/Faxweb.al)