Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

E plotë/ Pas dokumentit anglisht, zbardhet edhe në gjuhën shqipe marrëveshja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore

Këshilli Politik ka arritur më në fund marrëveshje për administrimin e procesit zgjedhor gjatë një takimi që zgjati për rreth një orë dhe i mbajtur në Pallatin e Kongreseve, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues ndërkombëtar.

Dakordësia përfshin identifikimin biometrik në masën 100% në procesin e votimit për të shmangur votimin më shumë se një herë të një individi. Ndërsa Partia Socialiste u tërhoq nga depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë që ditën e sotme është zbardhur e plotë, në gjuhën shqipe marrëveshja e Këshillit politik për Reformën Zgjedhore

Identifikimi elektronik: ODIHR-i rekomandon futjen graduale dhe ka sugjeruar në komentet për Këshillin që çdo kalim në identifikimin, votimin apo numërimin elektronik duhet të fillojë me një program pilot që përfshin jo më shumë se 20 për qind të votuesve të sugjeruar nga Këshilli. Sidoqoftë, partitë angazhohen të mbështesin zbatimin e identifikimit elektronik, që përfshin 100 për qind të votuesve, në zgjedhjet e ardhshme në masën që është teknikisht e zbatueshme. Zbatueshmëria do të përcaktohet nga KQZ-ja e mbështetur nga ekspertiza ndërkombëtare. Qeveria e Shqipërisë garanton fonde në kohë për zbatimin për aq sa është e mundur teknikisht.

2. KQZ: KQZ-ja do të ketë një zëvendëskomisioner, i cili do të jetë përgjegjës për përcaktimin e realizueshmërisë dhe zbatimit të identifikimit biometrik të votuesve. Zëvendësi do të ketë përgjegjësi të përbashkët dhe të barabartë me kryetarin për zgjedhjen, monitorimin dhe zbatimin e identifikimit biometrik të votuesve. Zëvendësi do të monitorojë dhe ushtrojë mbikëqyrje mbi skemën e rekrutimit dhe trajnimit për komisionerët, i ndihmuar nga një ekspert ndërkombëtar. Një ekspert tjetër ndërkombëtar do ta mbështesë KQZ-në dhe zëvendëskomisionerin në trajnimin për zbatimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve.

3. KQZ: Struktura e KQZ-së do të përfshijë organin rregullator (pesë anëtarë); të apelit (pesë anëtarë); si dhe një zyrtar ekzekutiv dhe një zëvendës. Anëtarët do të vendosen sipas proporcionit shumicë-pakicë në organet rregullatore dhe të apelit. Komisioneri shtetëror do të zgjidhet përmes konsultimit.

4. Ekipet e numërimit: Dy zyrtarë jopolitikë, njëri prej të cilëve numëron ndërsa tjetri ndihmon, duke ndërruar rolet për secilën kuti votimi. Anëtarët e mbetur do të jenë ose dy monitorues si nga qeveria ashtu dhe nga opozita; ose tre vëzhgues si nga qeveria ashtu dhe nga opozita; ose një monitorues nga secila prej katër partive më të votuara parlamentare që dolën nga zgjedhjet e vitit 2017.

5. Qendra e votimit: Dy anëtarë të komisionit, të drejtat dhe përgjegjësitë e të cilëve janë të kufizuara me të drejtat e mbikëqyrjes dhe kontestimit (titulli i saktë mbetet për t’u përcaktuar) si nga shumica ashtu dhe nga pakica, si dhe tre të emëruar përmes lotarisë nga KQZ-ja, nga të cilët vetëm njëri do të veprojë si kryetar dhe do të marrë vendime. Dy të tjerët do të shërbejnë si asistentë pa të drejtë vote në kryesi.

6. ZAZ: Do të jetë e njëjta strukturë si qendra e votimit.

7. Kolegji Zgjedhor: do të zgjidhet nga gjyqtarët që kanë kaluar procesin e vetingut.

8. Procesi i ankesave: Procesi i dëgjimit të ankesave të Kolegjit Zgjedhor mbetet i pandryshuar (d.m.th., dëgjimi i ankesave nuk do të fillojë në Gjykatën Kushtetuese.)

9. Depolitizimi: Nuk do të bëhen ndryshime në administratën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Punonjësit e sektorit publik do të kenë të drejtë të jenë pjesë e administratës zgjedhore në zgjedhjet (parlamentare dhe vendore) pas zgjedhjeve të ardhshme. Reforma e vazhdueshme e administratës publike në Shqipëri do ta forcojë më tej fokusin e saj mbi depolitizimin e shërbimit civil.

10.Miratimi: Të gjitha propozimet e dakorduara do të hartohen si ndryshime ligjore që do të rishikohen dhe kontrollohen nga Këshilli Politik për të pasqyruar siç duhet marrëveshjen PARA kalimit në Parlament, PA asnjë ndryshim apo korrigjim të mëtejshëm. Në rast të ndonjë korrigjimi teknik ligjor të propozuar për këto ndryshime nga organet parlamentare, ato DUHET të miratohen nga Këshilli Politik PARA votimit.

11.Masat shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë me mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të pranueshme reciprokisht, ku dhe kur është e mundur, për të adresuar rekomandimet kryesore të ODIHR-it në lidhje me: (1) blerjen e votave; (2) trysninë ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimin dhe abuzimin me burimet e administratës, shtetit dhe ato financiare; (4) marrëveshjet me grupet kriminale; (5) lirinë dhe fshehtësinë e votës; si dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore. Mungesa eventuale e progresit për këto propozime NUK do ta pengojë apo vonojë një marrëveshje dhe miratimin e masave të saj në Parlament, siç është rënë dakord në pikat 1-9.

12.Hyrja në fuqi: Pikat 1, 2, 3, 7, 8, 9, 10 dhe 11 më lart, si dhe dy Shënimet më poshtë hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Pikat 4, 5 dhe 6 më lart hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme (parlamentare dhe vendore).
Shënime: Propozimi për qeveri të përkohshme dhe drejtor policie të përkohshëm nuk do të• përbëjë një kusht për pranimin dhe miratimin e sa më sipër.
Nuk pati konsensus për ndryshimin e sistemit.

Fjalët Kyce

Partitë politike firmosën Marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. A mendoni se Presidenti Meta duhet të dekretojë një datë zgjedhjesh në tetor të këtij viti?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *