Presidenti i vendit Ilir Meta ka vlerësuar sot me titullin “Mjeshtër i Madh” gazetaren dhe juristen që humbi jetën pak kohë më parë Hueyda El Saied.
Përmes një postimi në Facebook, Meta ka shpërndarë pamjet kur titullin ia dorëzon djalit të saj të vogël Gabriel dhe bashkëshortit Thierry, duke theksuar se ajo si artiste përmbushi me dinamizëm një jetë të tërë me arritje.
Postimi i Ilir Metës:
Mes shumë emocioneve, vlerësova sot në praninë e dhjetëra artistëve, intelektualëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, një personalitet shumë të dashur për shqiptarët, një simbol të mirësisë dhe suksesit, që na mungon të gjithëve, artisten, juristen dhe aktivisten e shquar të të drejtave të njeriut, të paharruarën Hueyda El Saied.
Hueyda u largua shumë shpejt nga jeta, kur kishte ende shumë për të dhënë. Megjithatë ajo përmbushi me dinamizëm ciklin e një jete të tërë, plot arritje dhe shkëlqim.
Kontributi shumë i pasur në art dhe përkushtimi i saj i vazhdueshëm human e për të drejtat e njeriut, dëshmojnë në thelb dëshirën dhe dashurinë e saj për jetën dhe për ta jetuar atë.
Me mirënjohje të veçantë për përkushtimin e saj social e human, si gazetare dhe juriste, duke pasuruar karrierën e saj profesionale dhe angazhimin në shoqëri, si dhe duke dëshmuar vlerat më të mira njerëzore, i akordova Titullin “Mjeshtër i Madh”, duke ja dorëzuar djalit të saj të vogël Gabriel dhe bashkëshortit Thierry.Gjithmonë do ta respektojmë kujtimin dhe trashëgiminë artistike të Hueyda El Saied, një model i përhershëm frymëzimi dhe referimi për të rinjtë!