Një oficer i marinës italiane u arrestua mbrëmjen e djeshme, të martën 30 mars, nga karabinierët, pasi u ndalua së bashku me një oficer të forcave të armatosura ruse.
Të dy akuzohen për krime të rënda në lidhje me spiunazhin dhe sigurinë e shtetit.
Ndërhyrja u zhvillua me rastin e një takimi klandestin midis të dyve, të cilët u kapën në befasi në momentin kur oficeri italian po i dorëzonte oficerit rus dokumente të “klasifikuara” në këmbim të parave.
Oficeri italian është paguar me nga 5,000 euro për çdo dërgesë të dokumenteve sekrete.
Oficeri rus, i cili ishte me detyrë në ambasadën ruse në Itali, u përjashtua nga ministria e jashtme italiane. Eprori i tij i drejtpërdrejtë gjithashtu do të dëbohet nga Italia bashkë me të: statusi i diplomatit ndalon arrestimin e tyre. Ministria e Jashtme italiane thirri menjëherë ambasadorin rus Sergej Razov në ministri – me udhëzimet e ministrit Luigi Di Maio.
Ky lajm u njoftua nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Elisabetta Belloni. Ambasadori rus Razov, u informua për masat e miratuara nga Italia. Nga ana e saj, ambasada e Moskës në Romë shprehu shpresën se arrestimi i diplomatit rus nuk do të kompromentojë marrëdhëniet midis dy shteteve. “Tani për tani, ne e konsiderojmë të papërshtatshme të komentojmë mbi atë që ka ndodhur,” shtuan burimet e ambasadës.
Ministri i Jashtëm Luigi Di Maio postoi një mesazh në Facebook: “Me rastin e thirrjes së ambasadorit rus në Itali në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, ne i dërguam këtij të fundit protestën e prerë të qeverisë italiane dhe njoftuam dëbimin e menjëhershëm të dy zyrtarëve rusë të përfshirë në këtë çështje shumë serioze. Falënderoj shërbimet tona të inteligjencës dhe të gjithë aparatet shtetërore që punojnë çdo ditë për sigurinë e vendit tonë.”