Kanë dalë detaje të reja nga grabitja e Prokurorisë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Durrës.
Sipas burimeve mësohet se grupi që ka bastisur dje zyrat është i njëjtë me atë që grabiti pak ditë më parë postierin e prokurorisë. Po ashtu janë shoqëruar dhe dy rojet e kompanisë private.
Ashtu siç u tha dhe më herët objektivi i grabitësve që mendohet se kanë qenë më shumë se dy vetë, ka qenë zyra e prokurorit të Task-Forcës Afrim Shehu dhe dy oficerëve të kësaj prokurorie, zyra këto që janë shumë pranë njëra-tjetrës në këtë prokurori.
Veç dy akuzave “Grup të strukturuar Kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga Organizata Kriminale”,prokuroria po zhvillon hetime edhe për akuzën e “Zhdukja ose humbja e fashikullit” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.
Prokurori Shehu kohët e fundit gjatë detyrës së tij ka hetuar shumë çështje me problematikë pronat në bregdetin e Durrësit, përfshirë këtu dhe konfliktin për pasurinë për ish-hotel Vollgën në Durrës, si dhe raste abuzimesh në institucione të rëndëishme si Bashkia, Porti apo hipotekat në Durrës.
(E.K/FAXWEB.AL)