Sfidat e jetës janë tejet të vështira, sidomos për Mirelën nga Durrësi e cila prej vitesh vuan në kurriz një sërë problemesh që janë shtuar akoma më shumë pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019 që preku Durrësin.
Pas tërmetit Mirela dhe dy fëmijët e saj, njëri prej të tyre i sëmurë me epilepsi, u gjendën mes katër rrugëve, pa një çati mbi krye. Ata njoftuan institucionet për të bërë akt ekspertizën përkatëse në lidhje me dëmin që kishte pësuar banesa. Sipas këtij vlerësimi banesa është shpallur e pabanueshme dhe me rrezik të lartë për humbje jete, në terma të tjerë DS5.
Pavarësisht kësaj nuk morën asnjë njoftim nga institucionet për sa i takon procedurave që duhet të ndiqnin për të përfituar nga ndihmat e lehtësirat që u krijuan për këtë kategori sociale. Për shkak të këtyre vonesave familja e tyre nuk përfitoi as 7 muaj qira të cilat u takonin bazuar në dokumentet e dorëzuara pranë institucioneve përkatëse.
Pas këtyre vonesave kanë filluar të marrin bonusin e qirasë, por edhe këtë herë jo në data fikse duke i shkaktuar kështu edhe probleme me qiradhënësit të cilët me të drejtë duan shumën çdo fillim muaji.
Por tejet shqetësuese për Mirelën dhe dy fëmijët e saj është ndërtimi i banesës së re. Kanë kaluar vite dhe ende nuk është bërë asnjë përpjekje për të filluar ndërtimet, nuk është vendosur asnjë tullë e madje institucionet janë shprehur se shtëpija do të bëhet nga donatorët dhe jo nga shteti.
Në fund Mirela, viktimë e dhunës në familje me disa urdhëra mbrojtje, pa përkrahje e me presione të vazhdueshme nga familjarët bën apel për shtetin dhe gjithë shqiptarët për të vënë dorën në zemër e të bëjnë të mundur ndërtimin e shtëpisë së saj.