Ish deputetja e LSI-së, Nora Malaj ka dhënë një intervistë për Fax News ku ka folur lidhur me ditën ndërkombëtare të të moshuarve.
Malaj tha se situata e të moshuarvenë vendin tonë dhe mënyra sesi këta të fundi trajtohen, linte mjaft për të dëshiruar. Sipas saj në Shqipëri, nevojat e pensionistëve nuk plotësohen dhe po ashtu nuk ka një ligj të posaçëm për këtë çështje, duke shtuar se nuk nevojitej lëmoshë nga qeveria.
“Në 2020, kemi rreth 82 mijë pensionistë dhe presupozohet që në 2030, Shqipëria të shkojë në 32% të popullatës në pension. Pas 10 viteve edhe ne do të përballemi me këtë krizën e madhe në raportet sociale. Sot kryefjala e gjithë bisedimeve ka qenë energjia, janë të tjerët të cilët kanë kontribuar dhe kanë ndërtuar këto hidrocentrale dhe ne me këto të ardhura dhe resurse të krijojmë energji elektrike. Është ky brez që ka nevojë të trajtohet me etikë politike. Pra nuk ka nevojë për mëshirë por të marrë atë që ka dhënë. Jemi ende larg asaj që duam dhe dëshirojmë. Deri më tani nuk kemi ligj integral për nevojat e të moshuarve, jemi pa struktura që duhet t’u japin shërbime këtyre kategorive.
Situata me Covid-in na tregon se pjesa më e madhe e të moshuarve, nuk arritën dot të merrnin shërbimet e dëshiruara. Nëse të rinjtë kanë kushte të dedikuara, të moshuarit nuk i kanë këto kushte”– u shpreh Malaj.
Ish deputetja u shpreh gjithashtu se rreth 81% e pensionistëve në Shqipëri, ndiheshin të vetmuar.