Maqedonia e Veriut ka regjistruar të premten 934 persona të infektuar me koronavirusin e ri, pesë viktima si dhe 454 të shëruar. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, shifrat i referohen testimit të 2.748 mostrave në 24 orët e fundit.
Për dallim nga dy javët e fundit, numri i viktimave është më i ulët ndërsa i të infektuar ka arritur shifrën më të lartë që nga paraqitja e koronavirusit të ri në Maqedoninë e Veriut në muajin shkurt, shkruan Rel.
Sipas raportit të publikuar, numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, gjithsej 342 raste. Qytete tjera që kanë shënuar numër të lartë të të infektuarve janë: Velesi me 88 raste, Prilepi me 61 raste dhe Tetova me 58.
Shkupi gjithashtu është në krye të listës së personave të shëruar. Betejën me COVID-19 e kanë fituar 273 persona në Shkup, ndërsa numri tjetër i të shëruarve përfshinë 24 qytete tjera. Aktualisht në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë të diagnostikuar 30.488 persona, prej tyre 20.448 janë shëruar , 982 kanë vdekur ndërsa 9.058 persona janë aktiv.