Fax Media News është vlerësuar me çmim “Mirënjohje” nga shoqata ASAG në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve për trajtimin e temave sociale. Fax News ka marrë mirënjohje për ndjeshmërinë dhe kontributin në favor të të moshuarve shqiptar duke u bërë pjesëmarrës në trajtimin e problematikave të tyre.
Gazetarja e Fax News, Fjona Çela tërhoqi çmimin duke u shprehur e lumtur për vlerësimin që përkon pikërisht me 3 vjetorin e nisjes së transmetimit televiziv. Çelësi i suksesit të televizionit mbetet rëndësia që i jepet të gjitha shtresave ndërsa fokusi do të mbetet gjithmonë zëri i qytetarëve.
“Jam e lumtur që kam ardhur si përfaqësuese e medias Fax News për këtë vlerësim kaq të veçantë për ne. Ky çmim përkon edhe me tre vjetorin e hapjes së televizionit tonë. Ditën e djeshme kemi mbushur tre vite në treg. Ky rrugëtim ka qenë i mbushur plot sfida, megjithatë jemi televizion relativisht i ri, por kemi ditur të hyjmë fuqimisht në treg.
E dini cili është çelësi i këtij suksesi? Është pikërisht trajtimi me profesionalizëm i rasteve të problemeve sociale. Kemi qenë gjithmonë aty për kategori të veçanta për të ngritur zërin për prolematikat e qytetarëve të cilët na kanë telefonuar dhe i jemi gjendur gjithmonë pranë. Kemi ditur të vlerësojmë jo vetëm shtresat e të rinjve dhe shtresave të mesme, por po ashtu edhe të moshave të treta. Fokusi i televizioni dhe i medias Fax News do të mbetet dhe do të jetë gjithmonë për problematikat e qytetarëve. Kjo ka qenë arsyeja përse kemi ecur kaq fuqishëm në treg dhe dua t’ju falenderoj për këtë vlerësim të veçantë për ne”, u shpreh Fjona Çela.