Kryeministri Edi Rama duket se ka axhendë të ngjeshur paraditen e sotme, ku pasi ka pritur në një takim ambasadoren amerikane Yuri Kim, në zyrë i ka mbërritur edhe Erion Veliaj, kreu i bashkisë së Tiranës, dhe njëherësh drejtues politik i qarkut në zgjedhjet e 25 Prillit.
Veliaj shihet teksa zbret nga makina e tij, dhe i drejtohet zyrës së Ramës, ku ka qenë më herët dhe ambasadorja amerikane, e cila në këto zgjedhje ka qenë një aktor më vete, për shkak të përfshirjes së saj aktive, dhe deklaratave të njëpasnjëshme.
As Kim dhe as Rama nuk kanë dhënë një sqarim mbi arsyet e takimit mes tyre, që vjen më pak se një javë nga zgjedhjet e 25 Prillit, ku socialistët fituan mandatin e tyre të tretë qeverisës.
Sa i takon Veliajt ai arriti që së bashku me ekipin e Tiranës të nxirrnin 18 deputetë nga socialistët, nga 20 që ishte dhe objektivi maksimal në këto zgjedhje.
Ambasadorja Kim kërkoi dje njohjen e zgjedhjeve nga të gjitha palët.
“Përgëzojmë kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren e tyre elektorale. Ne gjithashtu përgëzojmë dhe kryetarin e PD, Lulzim Basha, për udhëheqjen e një fushate të fortë, që i dha zë shumëkujt dhe frymëzoi shpresë. Më e rëndësishmja, ne përgëzojmë popullin shqiptar, i cili foli qartë.
Duke njohur rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit do të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullit shqiptar. Ne shpresojmë të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mbi demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin.
Raporti paraprak i OSBE/ODIHR duhet të përdoret për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri. Ne përsërisim që zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të ndjekin penalisht cilindo që shkel ligjin dhe pengon të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe”, shkruante dje ambasadorja amerikane Kim.
(E.K/Faxweb.al)