Partia e kancelares gjermane, Angela Merkel, CDU (Unioni Kristian Demokrat), do të zgjedhë liderin e ri këtë të shtunë, votim ky i cili shënon fillimin e garës për pozitën kryesore në Gjermani, përderisa pandemia me COVID-19, e ka trazuar ekonominë më të madhe evropiane.
Derisa kanë mbetur edhe nëntë muaj deri në zgjedhjet e përgjithshme, aktualisht, gara është shumë e paqartë në betejën për postin udhëheqës të partisë, e cila e ka dominuar skenën politike gjermane për 70 vjet.
Tre burra mund të jenë rivalë për këtë pozitë, por ata nuk kanë arritur që të krijojnë momentum me fushatat e tyre, për shkak të krizës së vazhdueshme dhe në rritje me pandeminë.
Për më shumë, vota e së shtunës mund të përcaktojë largim dramatik nga politika konsensuale, me të cilën Merkel u bë e njohur ndërkombëtarisht. Por, politikanja veterane planifikon të largohet nga skena politike në shtator, pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Në garë është aleati i Merkelit, Armin Laschet, kryeministri i landit më të populluar në Gjermani të North Rhine-Westphalia.
Por, siç raporton AFP, në sondazhe, ai është prapa rivalit të ashpër konservator të kancelares, Friedrich Merz, i cili ka dhënë indikacione se dëshiron ndarje të plotë me epokën e Merkelit.
Kandidati i tretë, eksperti i politikave të jashtme, Norbert Roettgen, po ‘lufton kokë më kokë’ në sondazhe me Laschet.
Disa e përshkruajnë këtë proces votimi si ngjarjen më të rëndësishme këtë vit, pas zgjedhjeve të 26 shtatorit. Kjo për shkak se fituesi mund të jetë në pozitë kryesore për t’i drejtuar konservatorët e Merkelit në zgjedhje dhe që potencialisht të zë vendin e saj në zyrën e kancelares, pasi ajo po pensionohet pas 16 vjetësh në detyrë.
Por, pandemia, po ashtu ka ndryshuar kartat në tavolinë dhe ka hapur mundësinë që krejt dikush tjetër të fitojë besimin e konservatorëve për pozitën e kancelarit dhe t’i drejtojë ata në zgjedhje.