Ditën e sotme ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, me prezencën dhe e disa ekspertëve të huaj franko-gjermanë, lançoi nismën e tij më rë re, që në vitin 2019 të ndodhë mbledhja dhe shkatërrimi i plotë i armëve dhe municioneve në vend.
Sipas Xhafajt kjo do të ndihmonte në uljen e nivelit të kriminalitetit në vend, dhe do të ndërpriste lidhjet e celulave terroriste.
“E konsideroj këtë nismë franko-gjermane pozitive. Keqpërdorimi i armëve përbëjnë një rrezik serioz për të gjithë ne. Përdorimi i tyre nga organizatat kriminale e më pas nga celulat terroriste mbetet problematik. Shqetësimi i kalon kufijtë rajonalë. Vitet e fundit qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për një kontroll më rigoroz të qarkullimit të armëve.
Gjithashtu Shqipëria ka kërkuar një zgjidhje për mbajtjen pa leje apo trafikimin e armëve. Armët janë ende në duart e të papëgjegjshmëve. Po hartohet edhe një strategji dhe një plan veprimi për t’i mbledhur armët. Ministria e Brendshme është e angazhuar që në vitin 2019 të nisë operacionin për shkatërrimin e plotë të armëve të tepërta”, tha Xhafaj.
Mirëpo duket se ministri nuk është konsultuar aspak me punën e paraardhësit të tij në Ministrinë e Brendshme Saimir Tahiri, pasi në të kundërt do ta dinte se projekti për çarmatosjen e popullsisë në letër do të duhej që të ishte mbyllur që në prill të vitit 2017-të.
Asokohe Tahiri vendosi një afat kohor limit që qytetarët të bënin dorëzimin vullnetar të armëve, në të kundërt dënimi që i priste nëse iu gjendeshin do të ishte më i lartë. Po me shkarkimin asokohe të Tahirit nga Rama, projekti i tij mbeti përgjysmë, dhe me premtimin e Xhafajt pritet të mbarojë vitin e ardhshëm.
‘’Është një këmbanë e fortë alarmi për ne dhe për të gjithë institucionet. Na duhet ndihma e publikut për të luftuar një plagë të dhimshme si armëmbajtja pa leje. Në shumicën e rasteve ata janë të rinj, që i hyjnë një rruge jo të denjë.
Ne mendojmë se zgjidhja e këtij problemi nuk është e menjëhershme, po nuk kemi as luksin të kalojmë një minutë më shumë në detyrë pa zgjidhur këtë problem”, ka thënë Tahiri asokohe.
Çarmatosja e popullsisë është një nga premtimet e çdo ministri që merr pushtetin pas vitin 1997, edhe pse duhet thënë se qytetarët ende janë të pajisur me armë, dhe lehtësia për të gjetur armë në vendin tonë është e dukshme.
(E.K/FAXWEB.AL)