Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Buxheti i kryeqytetit 2020: E ardhmja e Tiranës e varur nga “shitja” e hapësirave për ndërtim

Sa do të paguajnë banorët dhe bizneset e Tiranës për hapësirën, pastrimin, parkimin, arsimin etj në vitin 2020. Taksa e ndikimit në infrastrukturë pritet t’i sjellë Bashkisë së Tiranës 42% të të ardhurave të veta në 2019-n, duke e bërë atë tepër të varur nga dhënia e lejeve të ndërtimit. Ndonëse hapësira në dispozicion sa vjen e po ngushtohet, të paktën deri në vitin 2022, ky zë pritet të sigurojë rreth 30% të totalit të buxhetit, duke paralajmëruar që vala e ndërtimeve pritet të vazhdojë vrullshëm. Ngecin të ardhurat në tre vitet e ardhshme

Bashkia e Tiranës parashikon të mbledhë në 2020-n rreth 14.6 miliardë lekë të ardhura të veta (rreth 120 milionë euro), nga taksat dhe tarifat, sipas projektbuxhetit të saj zyrtar. Në raport me pritshmërinë e 2019-n, të ardhurat do të mbeten pothuajse të pandryshuara dhe e njëjta tendencë pritet deri në vitin 2022.

Duke i shtuar dhe transfertat e pakushtëzuara, që janë fondet qe merr nga qeveria, Bashkia e Tiranës pritet të ketë në dispozicion 20 miliardë lekë, ose rreth 165 milionë euro për vitin 2020.

Zëri kryesor që pritet të sjellë më shumë të ardhura në buxhet, është taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, me rreth 30% të totalit. Bashkia pritet të marrë si taksë 8% të vlerës për lejet e ndërtimit, që jep, rreth 4.3 miliardë lekë (22 milionë euro).

Nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme do të vijnë 18% e të ardhurave, ose 2.7 miliardë lekë (18 milionë euro). Të ardhurat nga ky zë pritet të shënojnë një rritje të fortë prej 42% në raport me pritshmërinë e 2019-s, për shkak të reformës mbi taksën e pronës, e cila pasi është shtyrë disa herë, pritet që të fillojë të mblidhet mi bazën e formulës së re mbi vlerën (0.05% të vlerës së pronës për banesat e pas ’90). Kjo formulë e re ka hyrë në fuqi që në prill 2018, por zbatimi i saj është shtyrë për shkak të vështirësive në krijimin e sistemit të të dhënave për regjistrin e pasurive. Ujësjellësi i Tiranës po u kërkon qytetarëve që të bëjnë vetëdeklarimin lidhur me banesën e tyre. Në momentin që qytetari shkon në sportelet e UKT, njoftohet edhe për taksën që duhet të paguajë sipas formulës së re të taksimit.

Nga tarifa e pastrimit, bashkia do të mbledhë 15% të totalit. Bizneset dhe individët do të paguajnë 2.2 miliardë lekë, ose 17% më shumë se një vit më parë.

Nga taksa e përkohshme për Infrastrukturën arsimore parashikohet të arkëtohen 813 milionë lekë, ose 8.3% më shumë sesa fakti i vitit 2019. Bashkia thonë në relacion se Taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore ka një realizueshmëri të kënaqshme që nga koha e hyrjes në fuqi, në vitin 2016, si për kategorinë biznese edhe për kategorinë familjarë, por nuk jep informacion konkret se ku janë përdorur këto para. Që prej vitit 2016, kur u vendos kjo taksë, përfshirë pritshmritë e 2019-s, janë arkëtuar gjithsej 2.6 miliardë lekë, ose rreth 22 milionë euro.

Një tjetër zë i rëndësishëm në buxhet janë tarifat e parkimit të automjeteve, që janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, teksa pothuajse të gjitha rrugët e Tiranës janë me pagesë. Nga ky zë bashkia pret të arkëtojë 617 milionë lekë (rreth 5 milionë euro), ose 34% më shumë se pritshmëria e 2019-s.

Nga tarifa për zënien e hapësirave publike, parashikohet të mblidhen 420 milionë lekë, ose 7% më shumë se vitin e mëparshëm.

Rekord të ardhurash nga taksa e infrastrukturës në 2019-n

Për vitin 2019, Bashkia Tiranë pret që të arkëtojë 6 miliardë lekë nga Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, ose 52% më shumë sesa planifikimi që kishte në fillim të vitit (15% më shumë se fakti i 2018-s). Sipas relacionit, Realizimi i të ardhurave nga kjo taksë tejkalon planin e miratuar si rrjedhojë e aplikimeve përtej parashikimeve nga strukturat përgjegjëse.

Prej disa vitesh, Buxheti i bashkisë Tiranë është bërë tepër i varur nga të ardhurat që merr si rrjedhojë e lejeve të ndërtimit. Rekordi pritet të shënohet në 2019-s, kur ky zë do të sigurojë 42% të të ardhurave të veta.

Gjatë 9 muajve të 2019-s, të dhënat e INSTAT treguan se 9-mujorin 2019, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet arriti në 1.3 milionë metra katrorë, duke u rritur me gati 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe trefishin në krahasim me 9-mujorin 2017.

Vetëm në tremujorin e tretë, sipërfaqja e dhënë për leje në kryeqytet është 557 mijë metra katrorë, ose 81% e së gjithë sipërfaqes së dhënë në vend, duke shënuar një nivel rekord të viteve të fundit.

Për gjithë 9-mujorin, në kryeqytet janë dhënë 313 leje ndërtimi, nga 268 në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 17%. Rritja më e lartë në sipërfaqe në krahasim me numrin është një tregues direkt i dhënies së lejeve për ndërtesa të larta.

Raporti i Financave vendore, një projekt i CoPlan që monitoron financat lokale, thekson se ndonëse në terma të përgjithshëm të ardhurat nga taksat vendore rezultojnë të kenë shënuar zhvillime pozitive, një vështrim i hollësishëm mbi elementët përbërës evidenton dobësitë afatgjata apo varësinë ndaj një numri të kufizuar taksash. Kjo tendencë, sipas Financave vendore sinjalizon për varësi të lartë të buxhetit vendor nga kjo taksë dhe rreziqe të shtuara varësisht natyrës ciklike të saj. Gjithashtu, mund të ndodhë që bashkitë të zhvendosin preferencat për likuiditet në terma afatshkurtër, në kurriz të zhvillimit të qëndrueshëm afatgjatë.

INSTAT raporton se për 9-mujorin, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike ishte 46.2 miliardë lekë, ose 375 milionë euro për Tiranën. Kjo shumë përbën gati 70% të vlerës së dhënë për të gjithë Shqipërinë.

Deri në vitin 2022, Bashkia e Tiranës planifikon të ruajë të njëjtin nivel të të ardhurave nga taksa e infrastrukturës, në një tregues që vrulli i ndërtimeve pritet të vijojë, ndonëse hapësirat e lira në kryeqytet sa po vijnë e po zvogëlohen.

Rajoni bazohet më shumë te taksa e pronës dhe tarifat

Modeli i kryeqytetit shqiptar, që po siguron pjesën më të mëdha të të ardhurave nga dhënia e lejeve të ndërtimit, që nuk mund të vazhdojë pa fund, duket unik. Rajoni bazohet kryesisht në të ardhurat nga taksa e pronës, që zënë rreth 30% të të hyrave të veta dhe nga tarifat për shërbimet e ndryshme.

Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë së Shkupit, 27% të totalit të të ardhurave (përjashtuar grantet) vijnë nga taksat e pronës, sipas realizimit të buxhetit faktik 2018. Tatimet për shërbimet specifike sjellin 54% të totalit.

Si shpenzohen paratë

Bashkia ka në total në dispozicion 20 miliardë lekë për të shpenzuar. 35% e kësaj shume parashikohet të shkojë për shpenzime kapitale.

Sipas programit buxhetor afatmesëm, prioritetet kryesore janë përmirësimi i infrastrukturës urbane; Ndërtimi i shkollave të reja, Përmirësimi i infrastrukturës në objektet arsimore, Rritja e sigurisë në rrugë e në objektet shkollore; Zhvillimi i Ekonomisë së gjelbër (Nxitja e zhvillimit rural dhe turizmit dhe ndihmesë bujqësisë; Nxitja e zhvillimit ekonomik, punësimit e sipërmarrjes; Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit); Përmirësimi i transportit i shërbimeve publike etj.

Ndër projektet strategjike janë: Krijimi i një Qendre për Edukimin për Teknologjinë do të jetë koncepti bazë i përdorimit të Piramidës; rehabilitimi i Kopshtit Zoologjik; zhvillimi i Organizimit të Tiranës në disa qendra kryesore dhe dytësore të cilat do të ndihmojnë në procesin e dendësimit me anë të përdorimit të zgjuar të tokës dhe shpërndarjes së funksioneve dhe shërbimeve të njëjta në gjithë territorin; zgjatimi Bulevardit të Ri të Tiranës; Poli i Kombinatit, Farkës, Kinostudios, Laprakës; Ndërtimi i kampusit universitar; Teatri i ri kombëtar, Zgjerimi i Lumit Lana, Unaza e Tiranës etj.

Po punohet për krijimin e një Zone të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, në të cilën Bashkia do të ketë rolin e zhvilluesit të kësaj zone duke përmbushur kriteret e legjislacionit në fuqi. Sipas relacionit, krijimi dhe funksionimi i kësaj Zone (TEDA) ka si qëllim krijimin e një territori të veçantë me një regjim fiskal dhe doganor tepër lehtësues për ushtrimin e aktivitetit ekonomik dhe që nxit investimet, hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e të ardhurave, përshpejtimin e zhvillimit rajonal dhe zgjerimin e lidhjeve ekonomike të tregut kombëtar dhe ndërkombëtar, futjen e teknologjisë së përparuar dhe përshpejtimin e qarkullimit të mallrave dhe kapitaleve. TEDA do jetë projekti i parë i mirëfilltë i cili inicion procesin e krijimit të Klasterave ekonomikë sipas skemave më të suksesshme në rajon dhe Europë.

Shpenzimet e personelit përbënin 29% të totalit. Kjo peshë është më e lartë sesa mesatarja rajonale, ku në Bashkinë e Shkupit, zinin 20% të totalit. Vetëm Aparati i Bashkisë ka 1,359 punonjës, ndërsa në total me gjithë agjencitë e tjera shkon në 5,458 punonjës. 1,659 punonjës të tjerë janë nga funksionet e pakushtëzuara sektoriale (psh arsimi parashkollor, mbrojtja nga zjarri).

Po firmoset një peticion për ringritjen e Teatrit Kombëtare ashtu siç ishte më parë. Ju si mendoni:

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *