Ditën e sotme, me betimin e kreut të ri të bashkisë së Sarandës është konstituuar edhe këshilli bashkiak i këtij institucioni.
Pavarësisht ceremonisë së betimit të Adrian Gurmës, e cila ndryshe nga betimet e tjera rutinë të kryebashkiakëve të majtë, bëri bujë për “hijeshinë” e saj në ambjentet e një hoteli, nga ana tjetër, mesa duket kreu i ri i këshillit bashkiak të Sarandës s’i ka pasur mirë punët me qeverinë.
Edhe pse u zgjodh në krye të Këshillit Bashkiak me 21 vota, kundrejt 8 votave të marra nga Sotir Cipa, Asaf Stroka pak ditë më parë u denoncua publikisht nga zv/kryeministri Erjon Braçe, pasi kishte urdhëruar AKU-në të hiqte sekuestron ndaj një punishteje mishi ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme mishi dhe frutash deti të skaduara.
Mirëpo pyetja kryesore në këtë rast është: A ishte kjo e gjitha një show?
Ja çfarë shkruante Braçe në postimin e tij pak ditë më parë: Më datë 31 korrik, gjykatësi Elidon Papazisi ka hequr masën e bllokimit dhe përmbaruesi Asaf Troka, pa njoftuar zyrtarisht AKU-në ka qenë në punishte dhe ka hequr të gjitha vulat e bllokimit! A keni turp gjykatës e përmbarues bashkë?!
Thoni në vendim duke e justifikuar atë se po mbroni interesin publik; jeni çmendur apo çfarë? Cili është interesi publik, të hash pula të skaduara? Apo të hash sallam prej tyre?. Boll më!.
Ndërkohë përmes një postimi në Facebook, ish-deputetja e PD, Nada Meçorapaj, e ka sjellë në vëmendje këtë fakt, duke u shprehur se “Përmbaruesi qe ka ‘zemëruar’ Braçen quhet Asaf Stroka dhe sot, PS, partia e zv/Kryeministrit, e ka zgjedhur kryetar te Këshillit Bashkiak te Sarandës”.
Postimi i Meçorapajt
Zv/Kryeministri që ka marre flamurin e mbrojtjes se interesit publik dhe po iu ‘jep dërrmën’ gjithë kundërvajtësve te vegjël e te mëdhenj, ka denoncuar para pak ditësh një gjyqtar dhe një përmbarues nga Saranda.
Sipas Braçes, përmbaruesi, ka hequr vulat e bllokimit te mallrave te vendosur nga AKU për mallra ushqimore te skaduara apo me probleme te tjera.
Përmbaruesi qe ka ‘zemëruar’ Braçen quhet Asaf Stroka dhe sot, PS, partia e zv/Kryeministrit, e ka zgjedhur kryetar te Këshillit Bashkiak te Sarandës.
Pra, e gjitha është show.
(B.L/FAXWEB.AL)