Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndalur gjatë paradites së sotme në Peqin, ku në qendër të qytetit është pritur nga qindra qytetarë, të cilëve u kujtoi disa nga punët e bëra gjatë kohës së qeverisë së Partisë Demokratike.
Numri një i opozitës tha se rruga Tiranë-Peqin tani është më e shkurtër, pasi është ndërtuar tuneli që shkurton distancën, ndërsa shtoi se në 8 vite Rama me bandat e tij ka ulur kokën e qytetarëve.
“Bashkë njihemi edhe pse jemi takuar shpesh, por edhe sepse na kanë lidhur hallet, sfidat dhe sa herë marrë rrugën nga Tirana në Elbasan, sa herë që distanca mes Tiranë-Peqin është bërë 4 herë më e shkurtër për shkak të tunelit të Elbasanit kujtohem sa e pandalshme është fuqia jonë.
8 vite ua ka ulur kokën me bandat e tij, ju ka keqtrajtuar, ju ka fyer, papunësia ka shkatërruar ekonominë familjare, sot le të bëhemi bashkë, dita e ndryshimit po afron, Peqini do ndryshim“, tha ndër të tjera Basha.
Më tej premtoi se kur të marrë pushtetin do bëjë amnisti fiskale për faturat e OSHEE-së.
“Ndaj ju ftoj të bashkohemi si asnjëherë më parë rreth Partisë Demokratike për të sjell ndryshimin që meriton Peqini. Të gjithë bashkë, me votën tuaj për Partinë Demokratike, për numrin 9 më datë 25 prill do të hapim derën për ndryshimin, për punësimin, për mirëqenien. Katër vite ardhshme do të jenë vitet e një ndryshimi rrënjësor për Peqinin.
Heshtja që ka pllakosur, zbrazëtia e dyqaneve, shpunësimi, dëshpërimi i fermerëve do të marrin fund. Këtu do të kthehen te kulla e sahatit si kryeministri juaj i ardhshëm për të shijuar së bashku punësimin, mirëqenien, rritjen e të ardhurave dhe ndryshimin që do të përfshijë çdo familje të Peqinit, të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë!
Nga të rinjtë dhe te rejat tek pensionistët të cilët kanë sakrifikuar një jetë të tërë, nga fermerët tek sipërmarrja tek investimet, tek shkollat dhe në çdo fushë të jetës, familjet me ndihmë ekonomike do ta ndjejnë ndryshimin.
Sepse që ndryshimi të ndodh, duhet të zbatohet plani ekonomik i cili mundëson që ato miliarda euro që ua marrin nga xhepat tuaj si taksa çdo ditë, me gjobat, me faturat, me çmimin e energjisë më të lartin në Europë, me çmimin e naftës më të lartin në botë, ato para ua japin oligarkëve. Dhe ndryshimi do të vij sepse qeveria dhe unë, ato para do i kthej tek zotërit e vërtet që jeni ju, me investime, me punësim, me rritje pagash dhe pensionesh dhe kujdes të vërtet shëndetësor.
Me familjet e Peqinit që vazhdojnë të paguajnë paratë e marrëveshjes me bandën e OSHE-së, ju përsëris, siç u thash familjeve të Durrësit, amnisti që ditën e parë, atë 25 mijë lekësh do të jenë në xhepat tuaj dhe jo të bandës të OSHE-së. Ne kemi një qëllim, të kthejmë shpresën, dendësimi, mirëqenien, gëzimin në familjen tuaj. Votoni për Partinë Demokratike më 25 prill! Fitore! Fitore!”, tha më tej kreu i PD-së gjatë fjalës së tij përpara qytetarëve.
(E.K/Faxweb.al)