Kryedemokrati Basha është duke zhvilluar këtë pasdite një takim me qytetarët e Beratit, nga ku ka theksuar edhe njëherë se zgjedhje në 30 qershor nuk do të ketë.
“Zgjedhje në 30 qershor nuk do ketë. Paniku e çoroditja derdhet në çdo fjalë e çdo broçkull të Ramës. Tregon se çeta e tyre ka humbur qetësinë. 30 qershori është tentativë për grusht shteti.
Ramës i ka futur thikën në palcë populli e nuk di ç’thotë. Nuk i shtyj zgjedhjet se s’më le Kushtetuta ka thënë kryeministri. Ka harruar që dy herë i shtyu zgjedhjet. Ky që tani thotë s’më lejon Kushtetuta. Si ky që mendon se në 30 qershor kundër kushtetutës është të emërosh vrasës e përdhunues. Të shantazhosh e kapësh drejtësinë, është kundër kushtetutës. Kundër kushtetutës është të manipulosh regjistrim e gjendjes civile, e të shkelësh kodin zgjedhor. Kundër Kushtetutës është të emërosh njerëz që I kap ligji e dekriminalizimi”, tha Basha ndërsa, ka shtuar se pazar me Edi Ramën nuk do të ketë kurrë më dhe se largimi i tij është i panegociueshëm.
“Nuk ka kompromis me të keqen. Nuk ka pazar me Edi Ramën. Këtu nga kjo sallë, 4 muaj më parë u zotova se nëse ligji për vettingun e politikanëve nuk do të miratohej, opozita do të bënte hapin përfundimtar dhe do t’i bindej sovranit për të djegur mandatet. Kjo ndodhi!
Këtu nga kjo sallë ju them sonte: Pazar me Edi Ramën kurrë më. Largimi i tij është i panegociueshëm për ti hapur rrugë vullnetit popullor dhe garës së ndershme, zgjedhjeve të lira.“