Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla ka dhënë dëshminë e tij në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, lidhur me videon e Fredi Alizotit, i cili deklaron njohjen me socialistin.
Sipas Ballës ai as nuk është takuar dhe as nuk e njeh Alizotin, duke shtuar se paraqitja e tij në prokurori është bërë për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë morisë së shpifjeve.
Sipas kreut të grupit të PS-së kallëzimi i tij për Bashën, Salianjin dhe Hoxhën, do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës, pasi konsiderohet një vepër më e lehtë.
Reagimi i Ballës në ambientet e jashtme të Krimeve të Rënda:
Dua t’ju them që në vijim të përpjekjes për të zbardhur morinë e shpifjeve, isha këtu, tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, për të dhënë deklarimet e domosdoshme që sqarojnë të gjitha shpifjet e hedhura drejt personit tim. Thashë tek Prokurori se Alizotin se kam takuar asnjëherë, dhe se ky njeri s’ka patur asnjëherë kontakt , kurrë, as verbalisht me mua.
Dua të shpjegoj se unë kam bërë një kallëzim penal për kallëzim të rremë dhe shpifje të kryer në bashkëpunim, për Lulzim Bashën, Ervin Salianjin dhe Florenc Hoxhën. Besoj se kallëzimi im do t’i kalojë prokurorisë së Tiranës, sepse klasifikohet si vepër më e lehtë dhe hetohet nga prokuroria e Tiranës.
(E.K/FAXWEB.AL)