Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u ka dhënë urdhër zyrtarëve të policisë që të mos u japin mediave dhe gazetarëve detaje që lidhen me ngjarjet kriminale.
Ky reagim i Lleshajt vjen pas ngjarjes së rëndë në Rrëshen, ku u vra Kastriot Reçi, në qendër të qytetit, ndërsa detajet që janë zbuluar në media, lidhet me pistën e hakmarrjes për të cilën po hetohet.
“Përshëndetje të nderuar shefa Komisariatesh dhe sektorësh. Marr shkas nga dalja në media të materialeve procedurale si në rastin e vrasjes në Rrëshen dhe vrasjes në Paskuqan ku dalin detaje të cilat jo vetëm që bëjnë sekret hetimor po skandalizojnë opinionin duke i interpretuar çdo farë personi.
Ju porosis:
Asnjë komunikim me mediat për asnjë lloj argumentimi.
Pasqyrimi i punës suaj do të bëhet nëpërmjet zëdhënësit të drejtorisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme.
Në çdo rast që do të konstatoj do të filloj pa hezitim ecurinë e rëndë disiplinore ndaj jush. Me të njëjtin shqetësim përcilleni të vartësit tuaj këtë mesazh.
Nuk dua justifikime për daljen e tyre por ju porosis të jeni të vëmendshëm për ecurinë. Konfirmoni”, thuhet në mesazhin e Ministrisë së Brendshme.