Mbrëmjen e sotme Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka folur mbi ngjarjet politike në vend. Në studion e “Zonë e Lirë” është diskutuar edhe arrestimi i Henri Çilit.
“Nuk e njoh personalisht, lajmi tërheq vëmendje. Ndoqa me vëmendje deklaratën e sotme të Drejtorit të Policisë së Shtetit, nuk duhet të nxitohemi për të etiketuar individë të caktuar si kriminelë a jo. Kjo është një çështje që duhet trajtuar në mënyrë gjyqësore, nuk mund të jap një opinion nëse nuk shoh dosjen”, ka thënë Bardhi.
“A mund të arrestohet nëse je përgjuar?”, e ka pyetur Çani Bardhin. “Bëhet fjalë për urdhër-ndalim nga organi i Prokurorisë, nuk ka vendim gjykate. Përgjimi është indicie që të çon tek prova, nuk dimë nëse ka prova se nuk kemi dosjen. Për sa kohë janë pjesë e një dosje hetimore, çështja është e përbashkët dhe dalin bashkarisht në gjykatë (të 28 të arrestuarit). Ndodh brenda 48 orëve sipas ligjit”,shtoi Bardhi.