Ish Ministri i Financave Arben Malaj ishte i ftuar në Fax News ku foli për premtimet e kryeministrit Rama për rritjen e pagës minimales si dhe rritjen e pagesës së mësuesve, mjekëve dhe shkurtimin e taksave, të cilat i cilëson se po bëhen në një moment elektoral pasi më 25 Prill 2021 do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në fjalën e tij, Malaj thekson se premtimet e Ramës nuk janë “një shkop magjik” për problemet e thella që ka vendi sa i përket ekonomisë.
“Besoj që rritja e pagës minimale në sektorin publik do të jetë më e lehtë. Më e vështirë do të jetë në sektorin privat. Është shumë mirë të rritet paga minimale, por duhet të mbajmë parasysh se cdo rritje pagash duhet të vijë nga rritja e produktivitetit ku qeveria duhet të ndihmojë kompanitë të jenë produktive ose do të vijë nga shkurtimi i shpenzimeve ku prap qeveria mund të lehtësojë një pjesë të shpenzimeve të kompanive shqiptare që të ardhurat nga paga të rritet dhe kompanitë të ruajnë fuqi konkurruese në treg.
Në rast se synohet të ulen taksat, të rriten pagat, të rriten pensionet, të shtohen grupet që marrin pensione me kushte preferenciale në kuptimin që të dalin sa më shpejt në moshë apo elementë të tjerë , ne do të mësojmë nga eksperienca e vendeve të tjera, kryesisht nga Greqia.
Unë besoj që ka nevojë të paraqiten të gjitha argumentet si rritja e pagës minimale, si rritja e pagës së mësuesve dhe mjekëve, si shkurtimi i taksave apo aplikimi i taksave zero është më shumë një moment elektoral se sa një shkop magjik për problemet e thella që ka ekonomia shqiptare dhe stabiliteti i financave të shtetit shqiptar”, tha Malaj.
Ndërsa për deklaratën e djeshme nga kryeministria ku ishte i shoqëruar nga Ministri Arben Ahmetaj dhe Ministrja Anila Denaj thotë se reagimet e tyre u bënë më shumë si një kundërpërgjgije ndaj opozitës dhe e cilësoi qeverinë Rama si më të keqen e vendit.
“Unë besoj që edhe mënyra e panelit dhe prezantimi ishte më shumë një kundërpërgjigje ndaj propozimeve që bën lideri i pozitës se sa dicka e re që bën rilindja. Pra duhet të bindemi që rrezikohemi seriozisht nga një konkurrencë që do të ketë premtime elektorale për ulje taksash , rritje pagash, përjashtime nga taksat. Kjo mënyrë e qeverisjes së vendit është më e keqja pasi ulja e taksave dhe rritja e shpenzimeve shqërohet me rritje borxhi dhe kjo është varfëruese”, tha Malaj.(A.M/Faxweb.al)