Garë interesante për zgjedhjet lokale ofron edhe qyteti i vogël i Cërrikut. I cilësuar si një ndër kryebashkiakët e preferuar të Kryeminsitrit Edi Rama, besimi për një mandat të dytë kryetarit të bashkisë së Cërrikut Andis Salla nuk ishte surprizë për opinionin publik. 35- vjeçari ka përballë ish kryebashkiakun Servet Duzha, i dalë nga procesi i Primareve. Z. Salla ndonëse në moshë të re është bërë faktor në pushtetin lokal, ndërsa rikandidimin e tij e sheh si një përgjegjësi qoftë ndaj Kryeministrit, por dhe qytetarëve që e kanë votëbesuar në mandatin e tij të parë.
Teksa shpalos ambiciet dhe projektet për një mandat të dytë e sheh të lehtë garën elektorale me kundërshtarin e tij politik, të cilin e fton edhe në një debat politik.
Sakaq kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” është një figurë e ricikluar , pasi më herët për periudhën 2011-2015 ka drejtuar Bashkinë Cërrik. Inxhinieri Servet Duzha pohon se ky fakt e favorizon, pasi në kohën kur ai ka drejtuar pushtetin local , dyert e institucionit kanë qënë të hapura, duke atakuar drejtpërsëdrejti kundërshtarin e tij politik Andis Salla se ia ka mbyllur dyert e bashkisë qytetarëve Cerrikas. Ajo që shqetëson demokratët në tërësi është ndarja e tyre në dy grupime , por kandidati I djathtë siguron se demokratët e Cërrikut janë bashkë në këtë sfidë.
Bashkia e Cërrikut është e dyta për nga numri i popullsisë pas asaj të Elbasanit duke regjistruar rreth 40 mijë banorë, ku 70% të popullsisë e përbejnë ata që jetojnë në zonat rurale. Bashkia e Cërrikut njihet si një tjetër bastion I së majtës, cka do të thotë që kandidatit të djathtë do ti duhet mund e djersë për ta fituar këtë garë.