Grupi i Enkelejd Alibejat ka nisur paralelisht përgatitjet për zgjedhjet vendore të majit, duke publikuar dhe emrin e parë të kandidatit.
Bëhet fjalë për Agron Kapllanajn, i cili do hyjë në garë për Bashkinë e Mallakastrës. Ky i fundit ka folur ekskluzivisht për Fax News për arsyet kryesore, të cilat e kanë motivuar të garojë për të qenë i pari qytetar i Mallakastrës.
Ai tha se ndihet i vlerësuar pasi qytetarët e Mallakastrës i kanë kërkuar të jetë pjesë e garës për kryetar të bashkisë.
Kandidati i grupimit të Alibeajt tha se beteja e tij politike nuk është brenda familjes, por me kundërshtarin dhe konkretisht Partinë Socialiste.
“Ndihem i vlerësuar që jam kandidat për bashkinë Mallakastër. Unë nuk kam asnjë betejë me familjen politike dhe betejën e kam me kundërshtarin politik. Kam një detyrim ndaj mallakastriotëve, të cilët i kam braktis në 2019, dhe më duhet ti udhëheq ata dhe ti vijojmë projektet. Unë kam qenë një prej tyre, që i jam bindur vendimeve politike dhe kam votuat pro propozime të strukturave për të mos marrë pjesë në ato zgjedhje dhe kam përgjegjësinë time sado e vogël qoftë ajo. Marrëdhëniet e mia janë të shkëlqyera, qoftë miqësore, njerëzore dhe politike. Ka mendime të ndryshme dhe kjo ka filluar që në 9 shtatori kur Berisha nisi betejën politike për interes të veta. Dhe një pjesë tjetër nga mërzia, dhe një mllef të vogël ndoshta, që patën me drejtuesin e partisë së asaj kohë që nuk solli demokratët në pushtet që të ndryshonte qeverisja dhe e ardhmja e këtij vendi. Në Mallakastër kam pasur mbështetje gjerë dhe nga pjese elektoratit gri dhe të majtë. E kam detyrim të kandidoj dhe ti përfaqësoj ata dhe për mua është kënaqësi që t’i udhëheq ata deri në fitore”, tha ai.
Kapllanaj foli dhe për marrëdhënien me Berishën, për të cilin theksoi se gëzon respekt në aspektin njerëzor, por se nuk mund ta mbështeste atë në idetë dhe projektet politike.
“Me z. Berisha kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera gjatë gjithë këtyre viteve që kam drejtuar. Njerëzisht e kuptoj, por politikisht nuk mund ta mbështes z. Berisha”, tha ai.
I pyetur nëse do të marrë pjesë në protestën e grupimit të Sali Beridhës, e parashikuar për 6 dhjetor, Kapllanaj dha këtë përgjigje.
“Në datën 6 në Shqipëri është një ngjarje historike, ku vijnë liderët evropianë, atë të cilët na kanë mbështet dhe na kanë ndenjur afër që nga themelimi i shtetit dhe deri sot dhe nuk do doja të bëhesha pjesë e turpit që të protestoja”.
(N.M/Faxweb)