Familjarët e Adriatik Tresës kanë kërkuar mbrojtje nga autoritetet shqiptare. Sipas medias spanjolle, të afërmit e 40-vjeçarit të vrarë thonë se nuk është kryer asnjë hetim për të gjetur vrasësit, të cilët hynë në vilë të maskuar si policë dhe ekzekutuan Tresën.
Vrasja ndodhi ditën e premte në orën 3 të mëngjesit, kur të paktën 7 persona dolën nga automjete të ndryshme, të veshur si policia antidrogë dhe u futën në shtëpi me pretendimin se kishin marrë urdhër për hetim.
Sipas autoriteteve, kjo ngjarje e dhunshme mund të ketë lidhje me trafikun e drogës, por për këtë është marrë në pyetje një avokat i familjarëve. Në shtëpi gjendeshin Tresa dhe kunata e tij, një grua ekuadoriane e cila u bë dëshmitare e ekzekutimit të 45-vjeçarit.
Prokurori Walter Jaramillo, i cili po drejton hetimet, shpjegoi se gruaja dhe i ndjeri ishin ulur në një divan dhe kur ajo u ngrit për të kërkuar që t’i tregonin asaj urdhrin e kontrollit, një nga burrat qëlloi Tresën gjashtë herë me pushkë. Siç raportojnë mediat skena ka qenë e përgjakshme.
Menjëherë pas kësaj, fqinjët kanë raportuar të shtënat në polici dhe kanë parë vrasësit të largohen me shpejtësi me makinat e tyre. Ndërkohë organet e hetimit kanë dhënë disa detaje në lidhje me këtë ekzekutim.
Sipas tyre, kanë qenë të paktën shtatë persona që morën pjesë në vrasjen e 45 vjecarit: dy shoferë, dy persona që ruanin jashtë banesës dhe tre të tjerë që hynë në shtëpi dhe ekzekutuan shqiptarin, i cili rezulton të jetë i martuar me një grua ekuadoriane dhe mbante dokumenta të rregullta qëndrimi në Ekuador.
Autoritetet ekuadoriane zbuluan se viktima ishte pjesë e një hetimi të Njësisë Kundër Narkotikëve, si i dyshuar në përfshirjen e trafikut të drogës.
Tresa ka qenë më herët i dënuar për posedim dhe armëmbajtje pa leje për gati trembëdhjetë muaj. Përveç kësaj, ai ka qenë nën hetim në vitin 2013 për krimin e pastrimit të parave. Vitet e fundit ka pasur disa episode të dhunshme ku janë përfshirë shqiptarët.
Prokurori i çështjes tha se disa javë më parë disa persona janë përpjekur të rrëmbenin të Tresën por pa sukses. Në maj 2013, Adriatik Tresa u arrestua në një shtëpi në Samborondón të Ekuadorit së bashku me disa persona të tjerë si pjesë e hetimit për vdekjen e gazetarit Fausto Valdiviezo.
Ministri i atëhershëm i brendshëm, José Serrano, tha se një bandë kushtuar trafikut të drogës dhe pastrimit të parave ishte e përfshirë në krimin e ndodhur ndaj gazetarit. (A.M/Faxweb.al)