Zëvendësministrja e Arsimit Nina Guga ka pasur sot një intervistë në Fax News, ku ka folur lidhur me ndërprerjen e mësimit në shkolla, dhe zhvillimin e tij online.
Sipas Gugës 95% e nxënësve ka akses në mësimin online, ndërkohë që pjesa tjetër është në kontakt me mësuesit përmes telefonit, por edhe mësimeve që transmetohen në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar.
“Të gjithë nxënësit e ndjekin mësimin në dy rrugë te ndryshme, që janë klasat virtuale në platfomra të ndryshme, si dhe mësimi që transmetohen në Radio Televizionin Shqiptar. 95% e nxënësve janë pjesë e komunikimit online, dhe e mësimit online, dhe përmes RTSH-së.
Për nxënësit që nuk e kanë mundësinë e aksesit në internet, ka komunikim mes mësuesve dhe prindërve në rrugë telefonike. Në RTSH në dy orare të ndryshme iu vihet në ndihmë grupmoshave të ndryshme, si dhe ka një orar të caktuar dhe për maturantët. Funksionon po ashtu platforma siç është akademia.al, që janë vënë në dispozicion nga ana e mësuesve, që të shfrytëzohen për komunikimin e nxënësve.
Nuk është ndërprerë procesi i marrjes së informacionit nga shtëpia, ka një angazhim maksimal nga ana e mësuesve. Çdo shkollë ka hartuar një plan pune në këtë situatë emergjente, mësuesit për momentin do të bëjnë një selektim të tem,ave, duke iu dhënë prioritet temave më të rëndësishme të cilat nuk duhen anashkaluar. Kjo përqindje e vogël, prej 5% që nuk ka akses online, po arrihet nga ana e mësuesve që komunikojnë me prindërit, deri në momentin e rinisjes së procesit mësimor“, u shpreh Guga.
Ndërkohë që sa i takon mundësisë së shtyrjes së provimeve zv.ministrja tha se është ende shumë herët për të folur për këtë. Sipas saj me rikthimin normal të mësimit, çdo shkollë do të ketë një selektim të temave me kryesore, që do tiu prezantohen nxënësve, si dhe mund të shihet mundësia e bërjes së të shtunës ditë mësimore.
“Në momentin që po flasim i kemi marrë të gjitha masat që procesi i mësimit online nga shtëpia të vazhdojë, në momentet që flasim ka mësues që po bëjnë ende regjistrime të mësimeve, ka dalë një udhëzues edhe për vlerësimin e nxënësve.
Nëse mund të ketë një shtyrje tjetër të procesit të mësimit, atëherë do të ndërtohet një plan i ri, nëse do të rikthehemi në shkollë, do të ketë një riselektim të temave.
Momentalisht nuk mendojmë se do të ketë një shtyrje të provimeve, Matura Shtetërore është në muajin Qershor, dhe jemi ende në Mars, kështu që nuk e konsiderojmë për momentin si opsion shtyrjen e provimeve”, tha Guga.