65 artistë të Teatrit Kombëtar i kanë dërguar një letër krerëve më të lartë të shtetit, ku kërkojnë një ndërhyrje sa më të shpejtë në godinën e Teatrit.
Artistët i janë drejtuar Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Ministres së Kulturës dhe Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj.
Në letër shihet që të ketë firmosur dhe Viktor Zhusti, Luftar Paja, ku theksohet se prona që zotëron Teatri Kombëtar, duhet të shfrytëzohet ekskluzivisht për godinën e re të Teatrit Kombëtar.
Ata shprehin vullnetin dhe njëkohësisht edhe kërkesën, në funksion edhe të transparencës që i shërben forcimit të besimit në këtë proces, për përfshirjen e tyre në mënyrë të domosdoshme në komisionin e negocimit që do të ngrihet për zhvillimin e projektit të ri, ndërsa parashtrojnë se prona që zotëron Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet ekskluzivisht për godinën e re të Teatrit Kombëtar, duke mos e cenuar dhe duke mos lejuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone.
Gjithashtu ata vlerësojnë se koha e diskutimeve ka mbaruar dhe se tashmë duhet një vendimarrje sa më e shpejtë, në mënyrë që teatri i ri të ndërtohet sa më parë.
“Prej momentit kur mendimi i ekspertizës institucionale që ka lidhje me arkitekturën, inxhinierinë e ndërtimit, zjarrfikësit etj, është shprehur në formë të qartë në lidhje me këtë çështje, çdo ditë që kalon është thjesht humbje kohë me debate të cilat mund t’i shërbejnë kujtdo, por jo interesave të publikut dhe Teatrit Kombëtar”, thuhet në letrën e hapur të artistëve.