Një 42-vjeçar u arrestua dhe akuzohet për vrasje, tentativë vrasjeje dhe akte terroriste, për të shtënat me armë që ndodhën në qendër të kryeqytetit norvegjez, Oslo.
2 persona mbetën të vrarë ndërsa 21 të tjerë të plagosur, 10 prej të cilëve në gjendje serioze, në një prej zonave më të populluara të jetës së natës, orët e para të kësaj të shtune. Policia tha se e konsiderojnë sulmin një akt ekstrem të terrorizmit islamik. Qytetarët u qëlluan brenda dhe jashtë London Pub, një vend mjaft i frekuentuar nga komuniteti LGBTQ+.
Të shtënat nisën rreth orës 01:15. Dëshmitarë thanë se i dyshuari nxori një armë nga çanta dhe nisi të hapte zjarr, duke i detyruar njerëzit që të shtriheshin përtokë, ose të vraponin për të shpëtuar.
Autori i dyshuar u arrestua nga oficerët e policisë. Dy armë u gjetën në vendin e ngjarjes, një prej tyre automatike. Autoritetet bënë të ditur pak kohë më pas se ai ishte me kombësi norvegjeze.
Alarmi i terrorit në Norvegji është rritur aktualisht në nivelin më të lartë, ndonëse shërbimet e inteligjencës në vend thanë se aktualisht nuk ka të dhëna për një sulm tjetër të mundshëm.
Parada e përvitshme gay e Oslos, që ishte parashikuar të mbahej të shtunën u anulua, me këshillë nga autoritetet policore. Megjithatë, me qindra persona marshuan pranë vendit të ngjarjes në shenjë solidariteti.
Shërbimet e inteligjencës thanë se autori i dyshuar i ngjarjes ishte i njohur për shërbimet e sigurisë që prej vitit 2015. Ai dyshohej si islamik i radikalizuar dhe kishte histori të problemeve të shëndetit mendor. Policia tha se kishte arsye për të besuar se krimi ishte i motivuar nga urrejtja. Megjithatë hetimet vijojnë.