FlashTe FunditTe Gjitha

15 ditë për të zbuluar shkakun e vdekjes së Blerta Pepës, a është hedhur sasia e duhur e medikamentit?

Do të duhen dhe 15 ditë deri në zbardhjen e plotë të vdekjes së 15-vjeccares Blerta Pepa. Kjo pasi që të dalin rezultatet e analizave të kockave dhe muskujve që të arrihet në një konkluzion përfundimtar.

Mjekët ligjorë që kanë kryer autopsinë e 15-vjeçares që ndërroi jetë gjatë një operacioni në gju, kanë përcaktuar si shkak paraprak të vdekjes së saj hiperterminë maligna.

Ashtu siç deklaroi zyrtarisht edhe spitali “Continental” dy ditë më parë, duket se ky ka qenë komplikacioni që shkaktoi vdekjen e Blerta Pepës. Megjithatë, burime nga Mjekësia Ligjore nuk saktësojnë dot kaq shpejt nëse ky komplikacion ka ndodhur gjatë apo pas operacionit.

Nga ana tjetër, mësohet se gjatë kryerjes së autopsisë është konstatuar prani e medikamentit datrolen, medikament që sipas mjekëve përdoret pikërisht në rastet e hipertermisë. Burimet thanë se nisur nga këto rrethana shpjegohet se pacientes i është dhënë ndihma e nevojshme, por pa arritur të mbahet në jetë.

Për këtë arsye do të jenë analizat që do të përcaktojnë me saktësi shkakun e vdekjes. Nga një ekspertim paraprak, sipas mjekëve, nuk mund të përcaktohet nëse është përdorur apo jo doza e nevojshme e medikamentit datrolen.

Spitali “Continental” reagoi disa orë pas ngjarjes, duke sqaruar se, bazuar në vlerësimin e ekspertëve të anestezi–reanimacionit, si dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, u arrit në përfundimin se komplikacioni që çoi në humbjen e jetës së pacientes ishte hipertermia maligna.

Kjo përfaqëson një nga komplikacionet më të rënda dhe shumë të rralla që ndodh gjatë anestezisë. Ajo vjen si pasojë e një defekti gjenetik dhe që është e pamundur të zbulohet me anë të ekzaminimeve standarde apo të posaçme të kryera para operacionit. Hipertermia maligna vjen nga çlirimi masiv i energjive termike nga muskujt, si pasojë e aplikimit të substancave anestetike. (E.K/SHUPLAKA)

 

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *