AktualitetFlashKryesoreTe FunditTe GjithaVeç e Shuplakës

1 KULLË EDHE PËR ARTIN?- Si po zhvendoset me ‘lezet’ Teatri Kombëtar

Zhvendosja e Teatrit Kombëtar nga godina ekzistuese drejt godinës së qendrës multifunksionale “Turbina” ka hasur në kundërshti të forta nga artistët e teatrit.

Artistët kundërshtojnë fort amendimet e reja në ligjin “Për kulturën dhe artin” nga ministria e Kulturës.

Sipas tyre këto ndryshime cënojnë figurën e aktorëve të teatrit.

Mjeshtri i skenës, Robert Ndrenika në një mbledhje të hapur për mediat nga Sindikata e Artistëve, tha se nisma e e Ministrisë për të lëvizur godinën e Teatrit tek “Turbina” është qesharake.

Është folur që do të bëhet një teatër dhe prapë nuk ka patur pikë transparence. Teatri bëhet një herë në 500 vjet. I takon shtetit shqiptar të ndërtojë një teatër, një teatër 500-600 vjeçar. “Turbina” ishte qesharake. Për teatër ajo nuk bën. Ajo është për ndonjë fushatë elektorale. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai taeatër pa marrë vesh se çdo bëhet në të” tha Ndrenika.

Artistët kanë thënë në fund të diskutimit se me një vendim unanim kanë vendosur të kërkojnë anulimin e zhvendosjes së Teatrit Kombëtar dhe transparencë të plotë për ndërtimin e teatrit të ri.

Nga ana tjetër Ministria e Kulturës, ka njoftuar se javën e ardhshme do ketë një dëgjesë publike me aktorët e teatrit dhe grupet e interesit.

E mbani mend dëgjesën e fundit publike për Butrintin?

Pasi u vendos ndërtimi i një qendre bar-kafe, Kumbaro tha se në Butrint nuk do ketë ndërtim por rikonstruksion.

Pa u konsultuar me UNESCO-n, Parku Arkeologjik i Butrintit iu dha për shfrytëzim privatit për 5 vitet e ardhshme….

Debati për teatrin

Çështja e zhvendosjes së Teatrit Kombëtar nuk është problem i shfaqur rishtazi.

“Nëse shembet Teatri Kombëtar unë do varrosem në themelet e tij”, do deklaronte artisti Robert Ndrenika në shtator të 2016-ës, pak ditë pas lajmit se Teatri do zhvendosej.

Sot, kjo zhvendosje është një fakt. Në pranverën e 2018-ës, pritet inagurimi i qendrës së re multifunksionale “Turbina” në zonën e Tiranës së Re. 

Qendra multifunksionale Turbina

Pas Cirkut të Tiranës, vjen dhe zhvendosja e Teatrit Kombëtar, e kundërshtuar fort nga komuniteti artistik.

Godina e Teatrit Kombëtar do vihet në funksion të Teatrit të Operas sipas ndryshimeve të reja.

Premtimet e Kryeministrit

“Plaga ime e vjetër, Teatri Kombëtar”-do thoshte Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja Mirela Kumbaro në shtator të 2016-ës, ku do deklaronte ndërtimin e një teatri të ri për artistët, por duke mos e zhvendosur Teatrin Kombëtar.

“Rindërtimi i teatrit do të bëhet me standarde evropiane. Teatri do pajiset me të gjitha instrumentat. U pengua rindërtimi i tij, por ne do bashkëpunojmë me Bashkinë e Tiranës dhe faktorë të tjerë për të pasur një teatër me standarde bashkëkohore. Ka njerëz që me dashje ose jo e harrojnë vlerën që kanë këto investime, por aty ku nuk ka teatër, muze, stadium e jetë kulturore e sociale nuk ka as bukë. Është koha për të rindërtuar edhe Teatrin Kombëtar, që është në një vend kyç, është mirë që të mbetet aty, por duke u zhveshur nga paragjykimet e të shkuarës, që e penguan ndërtimin e tij me kohë e me vakt, ” tha Rama.

Kulla e përfolur

Artistët pretendojnë se zhvendosja e Teatrit Kombëtar drejt qendrës “Turbina” deri sa të jetë gati projekti për një teatër të ri, fsheh pas një nga taktikat e njohura të qeverisjes së socialistëve “Ndërtimin e kullave”.

Në deklaratën e tij para mediave, artisti Robert Ndrenika tha:

Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër pa marrë vesh çfarë do bëhet me të. Ajo është pronë e jona, e juaja. Të bëjnë kullë, të bëjnë kulla, dhe në këto kulla aneks të jetë dhe Teatri.”

Artisti Robert Ndrenika para mediave

Ndërsa ministrja Mirela Kumbaro e pyetur sot në Korçë lidhur me deklaratën e artistëve për ndërtimin e kullës ka thënë:

“Salla aktuale e teatrit do të vazhdojë të jetë funksionale edhe për trupën e teatrit edhe për trupa të tjera. Teatri Kombëtar do vazhdojë të jetë në funksion deri ditën që do të na vijë projekti, por trupa e tij do zhvendoset në një mjedis shumë komod dhe në këtë gjë e kemi dakordësuar më herët me artistët”, tha ministrja.

Të gjitha në një dorë

Në ndryshimet e propozuara nga Ministria e Kulturës, në projektligjin e bërë publik në 15 janar 2018, thuhet gjithashtu se Qendra Kombëtare e Kinematografisë do kalojë nën varësinë e Ministrisë së Kulturës.

Projektligji i ministrisë: QKK në duart  e Kumbaros

Kjo është një tjetër pikë që ka ngjallur kundërshti të forta nga 6 shoqatat e kineastëve të cilat në një deklaratë të përbashkët thanë se këto ndryshime e kthejnë kinematografinë shqiptare hapa mbrapa.

 “Kineastët shqiptarë kundërshtojnë në themel iniciativat e ndërmarra, pasi konstatojnë asgjësimin e parimeve bazë, mbi të cilat funksionon kinematografia shqiptare.

Projektvendime të tilla minojnë skemën bazë, me të cilën funksionon konkurrimi i lirë dhe përzgjedhja e projekteve – format i miratuar gjerësisht nga kineastët, i cili gëzon mbështetjen e tyre më të gjerë.

Komuniteti i kineastëve shqiptarë shpreh indinjatën legjitime për tentativat e vazhdueshme për të tjetërsuar formën juridike dhe buxhetin e QKK-së, në favor të interesave dhe të individëve të caktuar”, thuhet në deklaratë.

Fjola Graçi-Faxweb

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *