Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur ditën e sotme se në 24 orët e fundit nga 234 testime kanë rezultuar pozitiv vetëm 9 persona.
6 raste të reja janë në Tiranë dhe 3 në Elbasan, ndërsa qytetet e tjera nuk kanë numëruar raste të reja. Zonat më të prekura deri më tani janë Tirana, Shkodra, Fieri dhe Durrësi.
Ndërkaq në Tiranë raportohet se shefi i dhomave të Shoqërimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, është infektuar me koronavirus dhe sipas burimeve dyshohet se janë prekur nga COVID-19 edhe 4 kolegë të tij.
Kujtojmë se Tirana regjistron numrin më të lartë të personave të prekur më COVID-19, me 196 raste, ndërkohë që betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë.
Gjatë 24 orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 165.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 52 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej. 5 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 58 pacientë.