Presidenca franceze dha sot informacione lidhur me takimin që zhvilloi një ditë më parë presidenti Emmanuel Macron me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti. Në njoftim thuhet se në këtë takim u diskutua për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi si dhe zgjidhjen e problemeve mes dy shteteve.
“Presidenti i Republikës priti të martën 7 korrik në Pallatin Elysee Kryeministrin e Kosovës, Z. Avdullah Hoti, për të diskutuar rigjallërimin e dialogut për normalizimin mes Serbisë dhe Kosovës, që është një element thelbësor i stabilitetit dhe sigurissë Ballkanit Perëndimor dhe perspektivat përkatëse për anëtarësim në Bashkimin Europian të të dy vendeve”, theksohet në njoftim.
Zyra e Macronit përmend aty ndër të tjera edhe mbajtjen e video-konferencës të premten në 10 korrik, të cilin e organizon ai dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.
“Me iniciativën e Presidentit të Republikës dhe kancelares gjermane, do të mbahet një samit në 10 korrik me video-konferencë për të rihapur dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, të ndërprerë 18 muaj më parë, dhe që të lejojë Bashkimin Europian të lehtësojë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre.
Ky samit do të pasohet nga ai që vjen si vazhdë e takimit të zhvilluar në Berlin 29 prillin e vitit 2019. Do të jetë rezultat i hapave që Franca dhe Gjermania kanë ndërmarrë së bashku me Serbinë dhe Kosovën, me qëllim konsolidimin e stabilitetit në Ballkan dhe forcojnë lidhjet e tyre me Bashkimin Europian”, thuhet në njoftim.