Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


BotaFlashTe FunditTe GjithaTeknologji & Kuriozitete

Zuckerberg pranon fajin, gabimi i madh që bëri Facebook

Shefi ekzekutiv i Facebook-u, Mark Zuckerberg, thotë se kompania që ai drejton bëri gabim që nuk hoqi këtë javë postimin në llogarinë e një grupi paraushtarak që u bënte thirrje civilëve të armatosur të shkonin në Kenosha të Uiskonsinit, ku po zhvilloheshin protesta të dhunshme pas incidentit që la të plagosur dhe paralizuar afrikano-amerikanin Jacob Blake në një konfrontim me policinë.

Faqja për grupimin “Garda e Kenoshës” kishte shkelur rregullat e Facebook-ut dhe shumë përdorues të medias sociale kishin informuar kompaninë për përmbajtjen alarmuese, tha Zuckerberg përmes një mesazhi me video të publikuar përmes kompanisë. Gjigandi i medias sociale ka miratuar rregullore të reja gjatë javëve të fundit për të hequr ose kufizuar postime nga grupe që përbëjnë kërcënim për sigurinë publike.

Facebook-u e çaktivizoi faqen të mërkurën, pasi dy persona mbetën të vrarë dhe një i plagosur nga të shtëna me armë. Një adoleshent nga Ilinoi është nën akuza për incidentin e përgjakshëm.

“Kemi të bëjmë në masë të madhe me një gabim operacional,” tha Zuckerberg. “Kontraktuesit, analizuesit tek të cilët shkojnë komentet e përdoruesve, nuk e morën në shqyrtim paralajmërimin”.

Shefi ekzekutiv i Facebook-ut nuk kërkoi ndjesë për gabimin dhe tha se për momentin nuk është zbuluar ndonjë provë se adoleshenti i akuzuar për incidentin ishte frymëzuar apo e kishte parë faqen e grupit “Garda e Kenoshës” që nxiste anëtarët e saj të shkonin të armatosur në Kenosha.

Facebook-u tani po çaktivizon postime që lavdërojnë të akuzuarin për incidentin vdekjeprurës, tha Zuckerberg. Megjithatë, një artikull i së enjtes në gazetën The Guardian thotë se kishte zbuluar shembuj mesazhesh që shprehnin mbështetje ose bënin thirrje për grumbullim fondesh ende aktive në Facebook si dhe në Instagram.

Zuckerberg bëri dallim mes trajtimit të Jacob Blake, i cili u qëllua në shpinë nga policia e Kanoshës, si dhe 17-vjeçarit Kyle Rittenhouse, të akuzuar për vrasjet e së martës, i cili kaloi me një pushkë në dorë pranë policëve por askush nuk e ndaloi. Shefi ekzekutiv i Facebook-ut po ashtu foli për protestën e së premtes në Uashington.

“Ekziston një përshtypje se gjërat nuk po përmirësohen me ritmet e duhura, kjo është vërtetë e dhimbshme dhe dekurajuese,” tha Zuckerberg.

Ai shtoi se kompania e tij po punon për të përmirësuar shërbimet, por pa dhënë hollësi. Ai pohoi se zgjedhjet presidenciale të nëntorit përbëjnë sfidën më të madhe në përpjekjet kundër mesazheve polarizuese.

“Ekziston një rrezik real dhe ky rrezik shtohet gjatë zgjedhjeve në këtë periudhë shumë delikate, të polarizuar e të acaruar,” tha ai. /VOA

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *