Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, në një deklaratë të dhënë sot për mediat, komentoi vendimin e presidentit Meta për të kthyer në Kuvend paketën Antishpifje. Balla tha që në seancën e parë pas 20 Janarit, mazhoranca do të rrëzojë dekretet e presidentit.
“Presidenti Ilir Meta pas urdhërit të Lulzim Basha, dihej që do të kthente pas dy ligjet që janë pjesë e një pakete kundër shpifjes, që do të përmirësohet dhe në të ardhmen.
Dua të ritheksoj se përmirësimet ligjore janë certifikuar tërësisht nga partneri ynë i rëndësishëm OSBE, edhe në kuadër të faktit historik, që Shqipëria ka nderin që të drejtojë këtë organizatë.
Ditën e hënë në 20 Janar do të vinë në Kuvend dhe do të kalojnë në Komisione, dhe në seancën më të parë pasardhëse do të rrëzohen”, deklaroi Balla.
Ndërkohë që lidhur me Reformën Zgjedhore, Balla tha se PD-së i është garantuar vendi në Komision, ndërsa shtoi se diskutimi për ndryshimin e sistemit zgjedhor është lënë për një moment të dytë.
“PD e ka vendin e saj të garantuar, përmes një vendimi të Kuvendit të Shqipërisë, në Komisionin e Posatshëm të Reformës Zgjedhore. Lidhur me një çështje tjetër që është artikuluar dhe nga opozita parlamentare, që është sistemi zgjedhor, duhet tiu them që kjo është një çështje që lidhet me Kushtetutën, dhe duhet të ketë një diskutim më të gjerë, duhet të kalojë në një moment të dytë. Zgjedhjet nuk janë larg, në 2021-shin, dhe duhet të punojmë sa më parë për një draft final të Reformës”, deklaroi Balla.
Ndërkohë që për denoncimin e PD-së për kryebashkiakun e Mallakastrës Qerim Ismailaj, Balla tha se i mbetet prokurorisë që të bëhen verifikimet, ndërsa shtoi se PS ka pasur një vendim të qartë, duke mbështetur ligjin e dekriminalizimit.
“PS ka një vendim politik që prej ditës që ka mbështetur fuqimisht paketën e dekriminalizimit, kështu që nuk i takon më asnjë përgjegjësi Partisë Socialiste, janë përgjegjësi personale, dhe ne për këtë i bëjmë thirrje prokurorisë që të vijojë me verifikimet. Në çdo rast këtë detyrë e ka Prokuroria dhe asnjë subjekt politik”, përfundoi Balla.
(E.K/Faxweb.al)