Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco u shpreh ditën e sotme se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po koordinon me Policinë e Shtetit për të përgatitur dosjet me materialet e trajnimit për secilin pjesëmarrës, si dhe mbështetjen që jep Prezenca për botimin e librit të xhepit për rolin dhe detyrat e policisë gjatë procesit zgjedhor.
Del Monaco gjithashtu garantoi se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të jetë një partner strategjik i Policisë së Shtetit, në kuadër të një bashkëpunimi të frytshëm dhe afatgjatë me Ministrinë e Brendshme.
“Si kreu i ri i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, jam i kënaqur të nxis mbështetjen e vazhdueshme që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ofron institucioneve shqiptare për të organizuar dhe administruar zgjedhjet në përputhje me praktikat e njohura ndërkombëtare, ndërsa reflektojmë mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Siç më informuan kolegët e mi, ky trajnim mbi administratën zgjedhore vit pas viti, ka qenë i suksesshëm. Unë ju inkurajoj ta shfrytëzoni dhe zbatoni në praktikë.
Jam i kënaqur të shoh që Departamenti ynë i Bashkëpunimit për Çeshtjet e Sigurisë po koordinon me Policinë e Shtetit për të përgatitur dosjet me materialet e trajnimit për secilin pjesëmarrës, si dhe mbështetjen që jep Prezenca e OSBE-së në Shqipëri për botimin e librit të xhepit për rolin dhe detyrat e policisë gjatë procesit zgjedhor.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të jetë një partner strategjik i Policisë së Shtetit, në kuadër të një bashkëpunimi të frytshëm dhe afat gjatë me Ministrinë e Brendshme. Partner për këtë trajnim zgjedhor dhe partner në ofrim të ndihmës dhe mbështetjes teknike, veçanërisht në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe kërcënimeve trans-nacionale”, deklaroi Del Monaco.
Në takimin e zhvilluar ditën e sotme në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mbi fillimin e procesit të trajnimit për drejtuesit dhe punonjësit e Policisë që do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 25 Prillit, foli dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i cili theksoi se askush s’mund të dalë mbi ligjin.
“Në zbatim të përgjegjësive që ligji dhe Kodi Zgjedhor na ngarkon për procesin zgjedhor dhe në parimin e shtetit të së drejtës se ‘Askush nuk mund të dalë mbi ligjin’, çdo punonjës i Policisë së Shtetit, në çdo rast, gjatë kryerjes së detyrës duhet të manifestojë standardet më të larta profesionale, etike dhe integritet në zbatimin me përpikëri të ligjit”.
Përveç Kreut të OSBE-së në Tiranë, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të pranishëm në takim ishin dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe zv/Prokurori i Përgjithshëm, Thoma Jano.