Në katër komunat veriore të Kosovës, në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok si dhe në Mitrovicën e Veriut sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët të komunave.
Të gjitha qendrat e votimit janë hapur prej orës 07:00. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe se votimi po zhvillohet në rregull.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 media.
Ndërkohë, lidhur më këto zgjedhje ka ardhur dhe reagimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ka ftuar të gjithë serbët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje.
“Le të dalin në zgjedhje, të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre, në katër komunat veriore të Kosovës. Le të dalin e të tregojnë se sa e duan Serbinë dhe të tregojnë se do të luftojnë për të ardhmen e atyre. Kjo është lutja ime”, ka thënë Vuçiç.