Kryeministri i vendit, Edi Rama, tha se kandidaturat e propozuara nga opozita për Avokatin e Popullit nuk do të votohen.
Gjatë fjalës në Kuvend, Rama hodhi kritika për opozitën, të cilën e cilësoi të njëjtën gjë, por që ndryshojnë vetëm fytyrat.
“Nuk i votojmë ne ato kandidatura që keni sjell ju. As njërin që është avokat i partisë tuaj në luftë për vulën as tjetri që është avokat i vulëhumburve. Të gjithë deputetë e PS do të votojnë lirisht, kështu që luftën me mafien bëjeni nëpër fantazitë tuaja. Jeni e njëjta gjë, ndryshojnë vetëm fytyrat. Vazhdoni të gjëmoni bishtin mbrapa, se do ta kapni”, tha ai.
Me doza ironie, Rama theksoi se edhe pse ka një traditë tashmë që emrin e Avokatit të Popullit e propozon opozita, ai tha se nuk mund të imponohet PS-ja të votojë një emër, të cilin e cilësoi si avokat të Partisë Demokratike.
“Ju keni sjell një kandidat, atë tjetrin se llogarisim fare se ai ka ardhur nga rruga e vulëhumburve. Për Avokatin e Popullit ka një histori, ka një traditë, e propozon opozita dhe ne nuk imponojmë, por nuk mund të na detyroni të votojmë avokatin e PD. Çfarë doni të bëni me Avokatin e Popullit, doni ta fushin te SHQUP-i? Gjeni avokat tjetër, këtu jemi, mendohuni. Atë që keni sjell mbajeni tek partia se ju duhet për tek gjyqi i vulës”, shtoi Rama.